Skuadra bardhezi është në karantinë, ashtu si e gjitha Italia, por ndërkohë kohën e lirë ata kanë ditur sesi ta mbushin, duke parë edhe disa prej postimeve të tyre të “Instagram”.
Duke lënë menjanë se mesazhet sensibilizuese nuk mungojnë thuajse asnjë ditë, si video falënderuese e mesfushorit francez Blez Matuidi, i cili falënderonte të gjithë mjekët për punën e tyre të palodhur, shumë të tjerë kanë pasur gjetje të tjera.
Paulo Dibala – Sulmuesi argjentinas ka vendosur që gjatë kësaj periudhe pushime t’i dedikohet mbi të gjitha forcimit të muskujve. Numri 10 bardhezi vazhdon të postojë foto teksa stërvitet me pesha dhe ushtrime të ndryshme, por me mesazhin se përveç stërvitjes, “nuk duhet ta humbin kurrë buzëqeshjen”.
Kristiano Ronaldo – Sulmuesi është në Portugali, por së fundmi përveç ndarjes së kohës me familjen dhe ushtrimeve që për atë nuk mungojnë kurrë, CR7 ka ditur sesi të zbavitet disi edhe me median. Poshtë shtëpisë së tij në Madeira nuk mungojnë asnjëherë gazetarët, por Ronaldo shpesh herë ka ofruar skena sikur zbavitet me ata, teksa fshihet pas perdeve dhe më pas i përshëndet.
Matajs De Ligt – Përveç gjetjes së re për të bërë palexho me topin e letrës higjenike në shtëpi, shembull që është ndjekur në masë nga shumë të tjerë, mbrojtësi holandez ka nisur edhe një fushatë për mbledhje fondesh, për t’ia dhuruar stafit mjekësor italianë në qytetin e Torinos, si rrjedhojë e punës së tyre të palodhshme. Në të njëjtën kohë, nuk kanë munguar edhe postimet teksa luan ping-pong me të fejuarën e tij, Anaki.
Sami Khedira – Mesfushori gjerman, i cili sapo ishtye rikthyer nga dëmtimi, ka vendosur që karantinën ta shfrytëzojë për t’I kushtuar më shumë kohë një pasioni të tij të vjetër, pianos. Fundja, pak muzikë nuk I bën keq askujt…
Duglas Kosta – Ditët e mbushura me diell në Torino, por në regjim të plotë në shtëpi, anësori ofensiv brazilian, ka vendosur t’i shfrytëzojë për të marrë disa rreze në tarracë, ushtrime me top, ku shoku që e shoqëron në çdo moment është qeni i tij.
Matia De Shiljo – Ndërsa mbrojtësi anësor, duket se nuk ka dalë as për pazar nga shtëpia e tij. Këtë e tregon postimi i tij i fundit, pasi në tentativën për të imituar De Ligtin, nuk duhet t’i jetë gjendur letër higjenike në shtëpi dhe ka zgjedhur një rosak për të bërë palexho. Ndodh edhe kështu…