Armando Sadiku: Ja e vërteta e trajnerit që ndërroi jetë nga Koronavirusi

E Enjte, 19 Mars 2020 09:00

Sulmuesi i Kombëtares, Armando Sadiku, ndodhet prej ditësh i izoluar në shtëpinë e tij në Malaga, për shkak të pandemisë të Koronavirusit. Në një lidhje live për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Sadiku, tregoi se si e kalon kohën i karantinuar, ndërkohë që zbuloi se teksa shkoi në supermarket për të blerë ushqime, për pak sa nuk mori gjobë, pasi u futën 2 veta prej një familje në supermarket.

Armando je në Malaga apo jo?
Ndodhem në Malaga në Spanjë në shtëpinë time. Kam rreth 8 muaj që ndodhem këtu dhe jam edhe unë në karantinë si të gjithë.

Më tha Shakohoxha se ke një top dhe je i gatshëm të gjuash një penallti në ballkonin e shtëpisë.
Gjithmonë i gatshëm Blendi. Gjithmonë i gatshëm me topin afër meje në këto ditë të vështira që po i kalojmë të gjithë.

Armando, je i izoluar ndërkohë?
Po, që nga dita e dielë jemi të izoluar. Kishim stërvitje të hënën, por kur shkuam atje na thanë që sot nuk do të vini më në stërvitje dhe kam tre ditë tashmë në shtëpi që jam i izoluar.

Kampionati është i bllokuar krejtësisht? Nuk ka asnjë aktivitet sportive?
Po, kampionati është i bllokuar edhe ndeshjet me Kombëtaren që i kishim në fund të marsit nuk do të zhvillohen. Këtu në Spanjë thuhet se La Liga mund të fillojë më 24 prill, por nuk është vendosur 100%. Gjithçka është e bllokuar. Janë marrë masa shumë strikte nga presidenti Sançez dhe sot në supermarket për pak na kanë vënë gjobë sepse kemi hyrë dy veta të një familje brenda. Në supermarket vetëm njëri duhet të futet brenda dhe tjetri duhet të presë jashtë.

Në Malaga vdiq një 21-vjeçar që stërviste një prej ekipeve të të rinjve dhe ky mund të jetë personi më i ri i vdekur prej koronavirusit.

Po, ka qenë një 21-vjeçar. Ka qenë trajneri i ekipeve të moshave të Malagas, por duhet thënë që ai vuante nga leukemia prej shumë vitesh dhe ky ishte shkaku përse ai vdiq. Vuante pre 6 ose 7 vjet.

Si po i kalon këto ditë izolimi?

Gjërat normale. Klubi më ka qëndruar shumë pranë. Më ka sjellë materiale që po stërvitemi në shtëpi dhe na ka dhënë një program me video me gjërat që duhet të bëjmë në stërvitje, që të mos e humbim formën që kemi sepse nuk i dihet. Nga momenti në moment mund të fillojë kampionati dhe mund të kthehemi në stërvitje. Kohën më të madhe po e kaloj duke parë filma, duke lexuar dhe duke u stërvitur.

Login to post comments