Nesër do të mblidhet bordi i drejtuesve të Milan, që me shumë gjasa, do të diskutojë edhe “vendimin” që pritet të merret nga UEFA.
Takimi është caktuar prej kohësh për të analizuar bilancet tremujore dhe pagesat e bëra nga Yonghong Li, i cili mund të marrë një tjetër rëndësi për shkak të ndërhyrjes nga ana e Organizmit Europian të Futbollit.
Problemi është se klubi ka hyrë në një fazë të vështirë, nga e cila është e vështirë që të dalë. Kjo për shkak jo dhe aq të bilanceve të klubit në vetvete, por për shkak të mënyrës së blerjes së klubit kuqezi nga ana e Yonghong Li.UEFA është skeptike sa i përket rifinancimit. Paqartësitë rreth mundësive ekonomike të z. Li dhe dyshimet rreth figurës së tij si sipërmarrës kanë pasur një peshë të konsiderueshme.
Në planin financiar, seria e lajmeve negative gjatë këtyre muajve (i fundit, UEFA mund të përjashtojë Milanin nga kompeticionet europiane, por edhe një hetim nga Prokuroria e Milanos për të kuptuar origjinën e një pjese të pagesave të nevojshme për të blerë klubin në prillin e vitit të kaluar) duket se i ka vënë në stand-by marrëveshjet me fonde të ndryshme për rifinancimin e shumës ndaj fondit Elliott (303 milionë në total, që shkon në rreth 400 milionë nëse merren në konsideratë edhe interesat).
Z. Li duhet të derdhë brenda muajit qershor edhe 43 milionë euro, si pjesë e mbetur e rikapitalizimit prej 60 milionë eurosh. Skadenca për këstin e parë (prej 10 milionë eurosh) ishte disa ditë më parë, por paratë nuk erdhën, përveçse një shumë të vogël. Sipas zërave, paratë do të vijnë nga transferime të shumta, të ndara, të dërguara nga sipërmarrësi kinez, edhe pse me vonesë sa u përket afateve.Ky skenar është parë në muajt e mëparshëm. Megjithatë pjesa më e madhe do të vijë brenda fundit të qershorit dhe për momentin Milan nuk ka probleme të menjëhershme me likuiditetin.
Ndërkohë vazhdojnë zërat për një investitor të ri që do t’i bashkohet Yonghong Li. Disa banka si Goldman Sachs janë duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje, por situata është komplekse. Sigurisht, vendimi i ashpër që pritet nga UEFA mund të përshpejtojë hyrjen në skenë të Fondit Elliott, para përfundimit të afatit në tetor.