Gjermani do të synojë në Rusi të fitojë Botërorin e dytë radhazi dhe të pestin në histori, ç’ka do ta barazonte me Brazilin në vendin e parë. Mundësitë nuk janë të vogla për t’ia dalë pasi ‘panzerat’ nisen si një nga favoritët, duke parë kontingjentin e lojtarëve.
Janë pikërisht këta të fundit të cilët sot kanë ndezur situatën në qendrën stërvitore në Itali, aty ku gjermania po përgatitet për Botërorin.
Fillimisht Julian Draxler mori një bërryl në fytyrë. Ai qëndroi në tokë, duke u trajtuar për minuta të tëra nga mjekët. Pas testeve të shumta dhe mjekimit të shpejtë, ai ishte në gjendje të vazhdonte.
Por kjo nuk ishte skena e vetme e rëndë në qendrën stërvitore të Gjermanisë.
Gjatë një dyluftimi të ashpër, Joshua Kimmich dhe Antonio Rudiger janë përplasur keq me njëri-tjetrin. Dhe një moment ishin ballë për ballë në mes të fushës gati për luftë.
Ishte Miroslav Klose ai që ndërhyri për t’i ndarë në momentin e duhur. Më pas gjithçka u qetësua.
“Situata është e nxehtë, të gjithë duan të jenë titullarë,” shprehet Hummels.