Detaje të reja zbardhen nga ngjarja tronditëse e rrëmbimit të 49-vjeçarit Jak Prenga, më 17 janar në Kamëz. Pas një super-aksioni në disa qytete nga Forcat RENEA dhe policia e Tiranës dhe Durrësit, është zbuluar se 49-vjeçari ka ndërruar jetë, teksa ka humbur shumë gjak, pas dhunës barbare nga autorët.
Sipas policisë, pasi është dhunuar dhe rrëmbyer, autorët e kanë marrë me makinë për ta çuar në resortin “Golden”, në Shijak, por që Prenga ka humbur jetën rrugës. Për krimin e rëndë janë arrestuar katër persona Bajram Hajri, djali i tij, Leonard Hajri, Olsi Turja dhe Elton Hajri.
Policia ka sekuestruar gjatë aksionit kamerat e sigurisë, prej ku ka parë se nga automjeti me ngjyrë të bardhë tip “Benz”, me të cilin është kryer pengmarrja, ka dalë një trup i pajetë.
Pak minuta më vonë, tregon Bezat, mjeti është larguar nga kompleksi luksoz “Golden”, i cili është në pronësi të Altin Hajrit, “kapos” së drogës, dhe kur është kthyer nuk ka qenë pengu, por vetëm autorët e krimit. Kjo ka ngritur dyshime të forta nga policia se Jak Prenga të ketë vdekur, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të tij të pajetë.