Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Shkodër. Dy persona të maskuar me motoçikletë kanë qëlluar me armë dhe kanë kërcënuar një person në rrugën Shkodër – Velipojë, afër fshatit Daragjat.
Burime pranë Policisë së Shkodrës bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 6:00 të mëngjesit kur dy personat me motor dhe të maskuar i kanë zënë pritë një mjeti Benz, ku po udhëtonte një 50-vjeçar me banim në fshatin Darragjat.
Sipas dëshmisë së dhënë para Policisë nga 50-vjeçari, autorët e kanë ulur në gjunjë drejtuesin e makinës duke e kërcënuar dhe pastaj kanë qëlluar me automatik.
Fatmirësisht, nuk ka pasur viktima. Policia po punon për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë e cila rikthen maskat në Shkodër.