Një tjetër ngjarje trondit Shqipërinë teksa në orët e para të mëngjesit është ekzekutuar një 50- vjeçar në Bradashesh.
Mësohet se kater autorë të maskuar kanë qëlluar me pistoletë njëkohësisht ndaj Bujar Çelës, i cili ka zbritur nga automjeti në ato momente dhe sapo ka hyrë në lokalin djathtas hyrjes në rrugën e Peqinit.
Mësohet se autorët e kishin ndjekur 50- vjeçarin dhe janë larguar vetëm pasi janë siguruar se ai kishte vdekur. Ndërkohë Policia ka marrë pamjet filmike nga bizneset e zonës teksa janë ngritur disa pika kontrolli.
Por Bujar Çela është vëllai i një personazhi të famshëm të botës së krimit në Elbasan Talo Çelës, një nga personat më të kërkuar në Shqipëri.
Ai u shpall në kërkim për grabitjen e Rinasit në prill të 2019, teksa më pas dyshohet se ishte i përfshirë edhe në vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, që dyshohet se është ngjarje seri pas grabitjes së f amshme të 4.6 milionë eurove në aeroport.
Sipas informacioneve, prej kohësh grupi kriminal i Rinasit është në kërkim të parave që grabitën në 2019, dhe për këtë kanë filluar përplasjet, ku Talo Çela u kishte lënë për t’i ruajtur vëllezërve Viktor e Besmir Haxhiaj një sasi parash, dhe këta të fundit nuk ja kishin kthyer.
Tashmë Talo Çela është dhe subjekt i OFL, teksa ngjarjet ku ka qenë i implikuar dyshohet se kanë çuar në vrasjen e të vëllai, Bujar Çela, një taksist pa licencë për hakmarrje.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Elbasan/ Informacion paraprak Rreth orës 05:45 , në fshatin Bradashesh, Elbasan, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri para një lokali shtetasi B.Ç., rreth 50 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes , identifikimin e kapjen e autorit/ëve. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të qytetit të Elbasanit, pika kontrolli në akset rrugore nacionale në bashkëpunim me DVP Durrës, Fier e Tiranë . Në ndihmë të shërbimeve të DVP Elbasan kanë ardhur dhe FNSH dhe RENEA dhe vijon krehja e zonës.