Profesori dhe akademiku, Artan Fuga ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për Presidentin e televizionit ‘’Fax News’’, z.Kasem Hysenbelliu që sot u nda nga jeta prej COVID-19 në moshën 59-vjeçare pas disa ditësh trajtim në Turqi.
Fuga thotë se ka bashkëpunuar me Hysenbelliun për vite me radhë dhe kishte vlerësuar njeriun modest tek ai, të vëmendshme, me mendime ndryshe, të apasionuar për të resë dhe mbështetës të gazetarëve të rinj.
Ai thekson se Shqipëria sot humbi një aktor mediatik që ekuilibronte shumë pushtete dhe peisazhin televiziv.
MESAZHI NGA ARTAN FUGA
Gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes të të ndjerit Kasëm Hysenbelliu, drejtuesit dhe pronarit të televizionit Fax Neës! Sa herë kam bashkëpunuar me të për vite me radhë. Kisha vlerësuar shumë njeriun modest, të vëmendshëm ndaj mendimeve ndryshe, i apasionuar pas të resë, mikun dhe mbështetësin e gazetarëve të rinj, njeriun e përgjigjes të shpejtë ndaj çdo propozimi ose komenti, pa paragjykime për opinionet e aktorëve të shoqërisë civile që vinin te hapësira e tij televizive, korrekt me bashkëpuntorët, i qartë në orientimin e tij për trajtimin e problemeve të shoqërisë në televizion. Shqipëria humbi një aktor mediatik që ekuilibronte shumë pushtete dhe vetë pejzazhin televiziv të vendit. Televizioni që ai administronte ishte i ri, ka rrugë për të bërë, por ishte serioz, me dinjitet, dhe nuk ra kurrë në bastardime! I paharruar kujtimi i tij!