Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi zyrtarisht plotësimin e kushteve nga pala shqiptare për bërjen efektive të Marrëveshjes së Kredisë, të lidhur ndërmjet kësaj Banke dhe KESH sh.a., me vlerë 218 milionë Euro, e cila u nënshkrua me 30 Qershor 2016 me synim ristrukturimin e borxheve të vjetra.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës bën me dije se plotësimi i kushteve përfshinte kryerjen e reformave të thella ligjore dhe rregullatore në sektorin e energjisë elektrike në funksion të ristrukturimit të kompanive KESH, OST, OSHEE si dhe liberalizimit të tregut dhe krijimit të Bursës Shqiptare të Energjisë.
Pas një negocimi të vështirë, me ndihmën e BERZH u arrit të plotësohej një nga kushtet më kryesore për disbursimin e kësaj kredie, nënshkrimi i Marrëveshjes për Shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura sipas një skeduli të rënë dakord ndërmjet KESH dhe OSHEE.
Marrëveshja për shlyerjen e plotë të të gjitha detyrimeve të prapambetura ndërmjet kompanive të sektorit, arrihet për herë të parë sot, duke bërë të mundur kështu zgjidhjen e një problematike të krijuar dhe trashëguar nga kriza që pësoi sektori energjitik në vitet 2010-2013.
“Një falenderim të veçantë për ekspertët e BERZH si dhe stafin e Ministrisë së Financave, KESH, OSHEE dhe OST, për përkushtimin dhe punën e bërë për bërjen efektive të kësaj kredie, e cila jo vetëm përbën një garanci më shumë për stabilitetin financiar të sektorit të energjisë, por sigurisht është një tregues domethënës për ecurinë e mëtejshme të reformave dhe rritjen e investimeve në sektorin e energjisë”, citohet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.