Efektet negative të procesit të deeuroizimit kanë vënë në alarm Qendrën Shqiptare të Eksporteve dhe Albanian Food Industry. Në një letër dërguar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ministrit të Financave dhe për dijeni të Kryeministrit Edi Rama, shoqatat vërejnë se efekti negativ në ekonominë e vendin arrin në 14 miliardë lekë, afërisht 140 milionë dollarë.
Sipas analizës së shoqatave, përmes zhvleftësimit të euros me afër 4%, në ekonomi do të mungojnë afro 7 miliard lekë nga eksportet në qarkullimin e brendshëm, afro 3.5 miliard lekë nga remitancat dhe rreth 3.5 miliard lekë nga turizmi.
Nëse euro do të vazhdonte të ruante të njëjtat nivele ndaj lekut, arkës së shtetit do t’i mungojnë rreth 26 milionë euro taksa, ndërkohë që vetëm për këtë vit, deeuroizimi do të vërë në pikëpyetje hapjen e të paktën 3500 deri në 7000 vende të reja pune.
Dy shoqatat nënvizojnë se koha vërtetoi paralajmërimet e biznesit se procesi i deeuroizimit do penalizonte rëndë industrinë e eksporteve, të turizmit dhe shtresën me vulnerabël të popullsisë që jeton me remitancat.
Dy shoqatat i kërkojnë autoriteteve ngritjen e një ekipi pune për menaxhimin e situatës së krijuar nga ky zhvlerësim i përshpejtuar i aftësive eksportuese të vendit tone dhe rënies së parave në qarkullim për gjithë ekonominë.
Ato kërkojnë gjithashtu që Banka e Shqipërisë të bëjë publike strategjinë e deeuroizimit si dhe të japë shpjegime për flukset hyrëse të pashpjegueshme të kësaj monedhe në tre muajt e parë të vitit./Scan