Ditën e premte, dollari amerikan ka arritur të forcohet sërish ndaj monedhës vendase, duke kapur vlerën e 106.5 lekëve. Kjo përbën një rritje me plot 0.7 pikë krahasuar me ditën e djeshme dhe vjen si meritë e treguesve pozitivë të ekonomisë amerikane. Krahasuar me një javë më parë, valuta e SHBA ka arritur të fitojë plot 2.2 pikë ndaj lekut
Investitorët në tregjet e huaja kanë mbështetur dollarin bazuar në të dhënat që vijnë nga Thesari dhe kanë lënë mënjanë, të paktën për momentin, shqetësimet që ngre një luftë e mundshme tregtare mes SHBA dhe Kinës.
Një rritje të fortë prej 0.5 pikësh ka regjistruar sot edhe paundi britanik, i cili tashmë këmbehet për 148 lekë. Gjithsesi ka shumë dyshime për ecurinë e valutës, dyshime të lidhura me vendimmarrjen e Bankës së Anglisë dhe negociatat për daljen nga Bashkimi Europian.
Sa i takon monedhës së përbashkët europiane, sot ajo ka regjistruar një rënie të lehtë prej 0.1 pikësh. Një euro këmbehet sot për 128.7 lekë në blerje dhe 129.4 lekë në shitje.
Franga zvicerane dhe dollari australian nuk kanë patur luhatje nga nivelet e ditës së djeshme, ndërsa dollari kanadez ka arritur të forcohet lehtë me 0.2 pikë kundrejt lekut./scan