Fluksi i turisteve në Shqipëri ka nisur që tani.
Ndonëse nuk ka nisur zyrtarisht çelja e sezonit turistik, në Shqipëri fluksi i vizitorëve dhe turistëve të huaj ka nisur të rritet ndjeshëm që në ditët e para të muajit maj, duke dhënë impakt edhe në tregun e këmbimit valutor vendas.
Sipas Bankës së Shqipërisë, fillimi i sezonit turistik ka sjellë në tregun e këmbimit valutor vendas, dobësimin e valutave kryesore euro dhe dollarë kundrejt lekut, një dukuri që ndodh çdo vit në këtë periudhë.
Sot në tregun valutor një euro këmbehet me 127.72 lekë, me një tkurrje prej 0.2 lekë me bazë ditore, pas rënies me 0.8 lekë ditën e mëparshme.
Ky është një tjetër rekord i ulët i 10 viteve të fundit, në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2009. Ndërsa dollari amerikan këmbehet 106.43 lekë ose 0,09 lekë më pak se një ditë me parë.
Lidhur me luhatjet në tregun valutor, guvernatori i BSH-së, Gent Sejko tha se, zhvlerësimi është vazhdimi i një tendence afatmesme, që lidhet me ofertën e lartë të euros në tregun valutor dhe me uljen e rreziqeve në tregun e brendshëm financiar.
“Kjo ecuri nuk pasqyron efektet direkte dhe as objektivat e strategjisë sonë për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare. Si e tillë, ajo pritet dhe vlerësohet të jetë afatshkurtër”, u shpreh Sejko.