Kërkesat për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla deri në 2 megavat pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duket se nuk kanë fund.
Vetëm në këto katër ditë të majit janë afishuar aplikimet për dy hidrocentrale të reja.
Kërkesa e parë është bërë për ndërtimin e hidrocentralit “Kernaja 1 dhe 2”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në Përroin e Madh, degë e lumit Bushtrica (Tropojës), degë e lumit Drin, Bashkia e Tropojës, Qarku i Kukësit.
Subjekti aplikues është a “Kernaja Power” sh.p.k., një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me objekt të aktivitetit: Ndërtim hidrocentrali, operim dhe transferim i hidrocentralit tek Autoriteti Kontraktues, ku përfshihet financimi, ndërtimi, vënia në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, eksportimi dhe shitja e energjisë elektrike.
Aplikimi i dytë është bërë për HEC-in Kushaj, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në pellgun ujëmbledhës të përroit të Gjormit dhe lumit të Kushes, pranë fshatit Balëz, Bashkia e Elbasanit, Qarku i Elbasanit.
Aplikimi është bërë nga bashkimi i dy shoqërive GMG” sh.p.k. dhe “EngineeringSystems” sh.p.k.
Që prej vitit të kaluar, ka një intensifikim të aplikimeve të bëra nga subjektet private për të ndërtuar HEC-e me kapacitet prodhues deri në 2MW dhe që trajtohen me procedurë të përshpejtuar duke kaluar vetëm me firmën e Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës në momentin që projekti cilësohet i plotë. /monitor.al