×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Ku po i çon interneti bizneset ?

Diel, 06 May 2018 18:05

Ndryshimet teknologjike kanë sjellë ndryshime të rëndësishme edhe në jetën e njerëzve, por edhe kanë ndryshuar profesionet. Që nga Revolucioni Industrial kur makineritë zëvëndësuan punën e dorës e deri më sot, teknologjia po bën të mundur bërjen e proccëseve të punës më thjesht dhe më shpejt.

Por a ka ndryshuar rrënjësisht, në thelb, ajo profesionet?

Cilat janë anët negative apo pozitive të saj?

Interneti është një nga arritjet e teknologjisë, që i ka lehtësuar punë bizneseve dhe rrjedhimisht të profesoneve.

Monitor.al ka bërë një listë biznesesh të cilat detyrimisht kanë ndryshuar si pasojë e zhvillimit të internetit.

Agjencitë e udhëtimeve

Turizmi do të jetë gjithmonë një industri e madhe, edhe me ndryshimet e shumta që ka parë ndër vite, sidomos me ardhjen e internetit. Në të shkuarën, mënyra më e lehtë për të rezervuar një udhëtim apo të zgjasje një udhëtim pune ishte patjetër përmes një agjenti udhëtimesh.

Në të kundërt do të duhet ta bëje vetë, gjë që kërkonte një kohë të konsiderueshme, në telefon apo të shkoje vetë, ku dhe shpesh planet nuk të rezultonin siç duhet. E gjitha kjo ka ndryshuar drastikisht. Ëebsite e udhëtimeve ju ndihmojnë që të rezervoni për pak minuta, kjo përfshin gjithçka: fluturimin, hotelin, makina me qira, e shumë të tjera, vetëm me një kartë krediti. Në disa vende në botë, kjo ka bërë që një pjesë e agjencive turistike të fillojnë të mbyllen.

Megjithatë, ka ende njerëz të cilët nuk janë komod në përdorimin e internetit për të tilla shërbime dhe u drejtohen agjencive.

Në një komunikim për “Monitor”, tre agjenci udhëtimesh në Tiranë, Union Travel, Matias Travel dhe Kalemi Travel, thonë se interneti ka pasur ndikim të menjëhershëm në këtë sektor në treg. Sipas tyre, një pjesë e të interesuarve, shpeshherë komunikojnë me kompaninë thjesht për t’u interesuar për një udhëtim dhe pjesën e rezervimit e kryejnë vetë. Infrastruktura e ëeb ia mundëson lehtësisht këtë, pavarësisht se një pjesë e pushuesve janë klientë dhe u drejtohen agjencive për të zgjedhur udhëtimin e tyre, duke qenë se kjo e fundit del garant për të gjithë procesin.

Shtëpitë diskografike

Teknologjia ka ndryshuar biznesin e videotekave, pra marrjes me qira të videove dhe shumë dyqane video janë jashtë shërbimit prej vitesh. Videoja streaming është bërë jashtëzakonisht popullore dhe shumë njerëz zgjedhin të paguajnë për të transmetuar filma të rinj direkt nga shtëpitë, kompjuterët, tabletët dhe madje edhe nga smartphone-t. Biznesi i DVD-së është duke mbijetuar ende, por nuk është ai i dyqaneve me qira, janë kompani si Netflix që i kanë konkurruar fuqishëm.

Pirateria e filmave në internet ka dëmtuar gjithashtu videotekat dhe kinematë, pasi shumë filma dalin në internet menjëherë pasi ata mbërrijnë në kinema dhe miliona njerëz i shkarkojnë në mënyrë të paligjshme, për t’i parë falas në shtëpi.

Agim Halili, drejtuesi i Eurostar, një ndër shtëpitë diskografike që ka pasur lulëzimin më të madh në epokën e “CD dhe kasetave”, shprehet për “Monitor” se biznesi i tyre prej vitesh po përpëlitet në treg dhe në mënyrë të vazhdueshme po përpiqet që të kapet në të tjera forma që të mbijetojë.

“Teknologjia ka përparuar aq shumë, sa na la në pension. Nuk flitet më për prodhime CD dhe as më pak për shitje të tyre, ikën ato kohë. Prej disa vitesh kemi kaluar në produksione filmash, që të diversifikonim aktivitetin”,- thotë z. Halili.

Ekzistenca e YouTube, sipas tij, ka “shkatërruar” biznesin që dikur gjeneronte fitime të mëdha, por bëhet fjalë për 15 vite më parë, tani çdo gjë ka ndryshuar.

Problematika tjetër që nisi të japë sinjalet e një tregu në rënie ishte zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe rritja e aksesit në ëeb.

“CD mund të kopjoheshin fare lehtë dhe brenda një çasti i gjen të hedhura në internet”, – tregon z. Halili. Ai shton se pirateria në tregun muzikor shqiptar, është ndër arsyet kryesore që i ka çuar shtëpitë diskografike drejt falimentit.

Industria muzikore

Gjatë 20 viteve të fundit, kanë ndodhur shumë ndryshime në industrinë e muzikës, së pari ishte CD-ja që zhduku kasetat e dikurshme dhe, në 10 vitet e fundit, CD-të filluan të shuheshin për shkak të shkarkimit të MP3 dhe asaj të muzikës dixhitale. Industria muzikore është një ndër sektorët që pësoi ndryshimet më të mëdha, për shkak të avancimit të teknologjisë.

Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet industria e muzikës janë kopjet e piratuara të albumeve që miliona njerëz i marrin në faqet pirate të internetit, shpesh muaj përpara se albumet të publikohen në të vërtetë, dhe faqet e torrenteve janë ndër më të njohurat për këtë lloj aktiviteti. Kjo është një kauzë që luftohet fort kudo në botë.

Andi Islami, menaxheri i Three Dots Production, një ndër shtëpitë e produksioneve kryesore në vend, shprehet se interneti ka ndikuar në çrregullimin balancave të tregut, duke vështirësuar punën e producentëve, dhe duke ulur fitimet. Z. Islami pohon se sfida më e madhe për industrinë tonë muzikore është ndërtimi profesional i tregut, për të cilën do të duhen të bëhen shumë hapa.

Sipas tij, teknologjia ka sjellë atë që muzika të fokusohet online: te doënload ose streaming service, të cilët e bëjnë më të lehtë shpërndarjen në një treg të gjerë audience. “CD tashmë ka më tepër statusin e një ‘gadget’, dhe besoj se me kalimin e kohës, vetëm një numër i vogël njerëzish do të dëshirojnë të koleksionojnë këto vepra”,- pohon z. Islami.

Sipas tij, platforma VEVO, jo vetëm po ndihmon në rritjen e të ardhurave online për produksionet, por në të njëjtën kohë i jep këngëtarit e producentit një status e përfaqësim dinjitoz.

Shtypi i shkruar

Gazeta vdiq, jetë të gjatë gazetarisë! Kjo shprehje ka qarkulluar shumë në ëeb vitet e fundit, sidomos me kërcënimin që hasi printi kudo nëpër botë.

Industria e gazetave është një nga bizneset që po dëmtohet më tepër nga teknologjia e re, pasi shumë njerëz marrin falas të gjitha lajmet e tyre në internet.

Disa prej kompanive më të mëdha të gazetave kanë zgjedhur të hapin një faqe ëeb. Disa prej tyre i ofrojnë lajmet pa pagesë, por njëkohësisht fitojnë para në faqet e tyre nëpërmjet reklamave. Një pjesë e tyre ofrojnë lajme të tjera nëpërmjet abonimeve me parapagim.

Fanatikët e print nuk e pranojnë “kërcënimin” që teknologjia shfaqi, përkundrazi, ashtu sikurse kudo në botë, edhe në Shqipëri, pjesës më të madhe e mediave kryesore print iu shtua edhe një version online i tyre. Ishte një hap i domosdoshëm dhe i pashmangshëm në vrullin e teknologjisë, mosprania në ëeb të “përjashton” dhe “lufta për klikime” bëhet më e fortë.

Rreth tre vite më parë, një ndër gazetat kryesore në tregun shqiptar, Gazeta “Shqip”, lajmëroi mbylljen. Por versioni online vazhdon të operojë në treg, por me një staf të reduktuar prej vetëm 4 personash.

Erjon Abule, kryeredaktor i Shqip Online, thotë për “Monitor” se një media online ka avantazhet e veta, në përcjelljen e lajmit në kohë reale, shpejt. Ruajtja e standardit që Gazeta “Shqip” ka pasur si print edhe në këtë version, me profesionalizmin e lajmeve, e ka bërë që të arrijë më tepër ndjekës në rrjetet sociale, diçka që teknologjia ta ofron. Megjithatë, z. Abule shton se print kishte një staf më të madh dhe ishte shpesh burim furnizimi lajmesh më ekskluzive dhe të detajuara për ëeb.

Ekspertët tregojnë se përparësia e një media online ndaj asaj tradicionale print qëndron në koston e ulët. Krijimi i një faqeje kushton jo më shumë se 500 dollarë. Ata sjellin në vëmendje edhe reklamimin, si një element që duhet marrë në analizë. Gazetat në versionin e tyre në print kanë një treg më vete, ndërsa faqet e internetit janë më të vlefshme dhe burim i rëndësishëm për reklamime. Rrjetet sociale kanë sjellë konkurrencë reale për median tradicionale, pasi njerëzit i shohin si alternativa ndaj dhe nuk e kanë të domosdoshme të lexojnë një gazetë.

Fotografia

Në ditët e sotme janë të paktë ata që printojnë fotografitë, në kushtet kur aparatet dixhitalë apo smartphone mundësojnë shkarkimin e tyre menjëherë në kompjuterë. Në një vëzhgim në disa nga dyqanet e fotografive në Tiranë, vihet re se shumica e tyre kanë diversifikuar shërbimet që ofrojnë, në kuadër të “mbijetesës”.

Jonida Thomaj, drejtuese e një dyqani të tillë përballë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, tregon se ka një mori produktesh që shiten, duke nisur nga kornizat, apo ornamente të tjera në fushën e fotografisë.

“Kur hapëm këtë dyqan 15 vite më parë, puna jonë kryesore ishte kryerja e fotografimit për dokumente zyrtare dhe krahas kësaj, printimi i fotove. Tani ka ndryshuar shumë. Për të qenë koherent me ndryshimet, kemi hapur edhe një studio fotografie profesionale për të ofruar shërbime të tjera. Për t’ju përshtatur kërkesave të tregut kemi përfshirë edhe një mori produktesh, pjesa më e madhe handmade në fushën e fotografisë, për të nxitur edhe printimin e tyre në formë librash, stampimesh etj. Por kërkesat janë të pakta.

Në raste të rralla, kryesisht për dhurata, shqiptarët printojnë ndonjë foto. Albumet janë zhdukur thuajse fare nga lista e kërkesave”, – thotë drejtuesja e “Ciak Shop”.

Jonida shton se, në rastin e kryerjes së sesioneve të fotografisë profesionale, ku kërkesat janë kryesisht për fëmijët, ndonëse u ofrojmë falas printimin e disa fotografive, për t’i nxitur që të kthehet te ky trend, shqiptarët janë më pak të interesuar, pasi fokusin kryesor e kanë te publikimi i fotove të tilla në rrjetet sociale.

Dyqanet e librave

Dyqanet e librit janë një nga modelet e biznesit që shohin problemet më të mëdha për shkak të teknologjisë, sidomos në 5 vitet e fundit, në botë. E-lexuesit po fillojnë të zëvendësojnë librat e shtypur dhe nuk janë vetëm lexuesit, por edhe formatet e aplikacioneve që u lejojnë njerëzve të blejnë dhe lexojnë libra nga telefonat dhe tabletët e tyre.

Kohët e fundit kemi parë libraritë që dalin jashtë biznesit në të gjithë botën. Ka ende disa që po bëjnë mirë, sepse kanë përqafuar teknologjinë dhe kanë dalë me lexuesit dhe aplikacionet e tyre, gjë që u ka mundësuar të përfitojnë nga teknologjia bashkëkohore. Dyqanet e librit që janë ende në biznes po luftojnë, dhe fatkeqësisht shumë prej tyre nuk do të mund të zgjasin për gjatë.

Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz fillojnë të blejnë Kindles dhe lexues të tjerë teknologjikë. Në Shqipëri, ky sektor nuk është kërcënuar tërësisht nga teknologjia, sepse industria e librit online nuk është zhvilluar ende, megjithatë shihet në një të ardhme afatshkurtër.

e-books dhe shitjet online janë ende larg vëmendjes së shtëpive botuese, edhe pse ka hapësirë për të sjellë risi në industri. Ndonëse shqiptarët janë të pranishëm në internet, si lexues por edhe si përdorues të rrjeteve sociale, shtëpitë botuese ende nuk janë online në formën që e bëjnë simotrat e tyre në vende të tjera. Mundësitë elektronike sjellin kosto më të ulëta për promovimin dhe shitjen e tyre përmes platformave ekzistuese të shitjeve online, por “kërcënimi” që vjen nga modernizimi i librit, është i madh.

Botuesit thonë se libri elektronik do të përballej me piraterinë, si një ndër rreziqet kryesore që nuk marrin dot përsipër. Nga ana tjetër, tradita e shfletimit të librit ka mbetur. Loreta Berhami, drejtuese e shtëpisë botuese “Pegi”, thotë se lexuesit shqiptarë parapëlqejnë metodën klasike të leximit. Ta ruajnë librin si një kujtim, ta shikojnë të materializuar, së bashku me shënimet e tyre përkatëse.

“Frika se mos piratohet është arsyeja kryesore që e-libri nuk është i pranishëm, në Shqipëri nuk ka një platformë të mirëfilltë librash elektronikë. Ka ende disa arsye teknike që nuk e kanë zhvilluar këtë formë libri, por mendoj se nuk do të vonojë. Nga ana tjetër, mendoj se kjo nuk do të jetë as zgjidhja dhe as sëmundja e këtij tregu që po lëngon për të tjera arsye”,- thotë për “Monitor” znj. Berhami.

Shitjet me pakicë

20 vjet më parë, një pronar i dyqaneve të veshjeve ishte krejtësisht i varur nga kalimtarët e rastit që potencialisht do të tërhiqeshin nga ndonjë ofertë e shfaqur para dyqanit dhe do të vareshin nga tabela reklamuese, postera për të reklamuar biznesin e tyre. Jo vetëm që ato janë të kushtueshme dhe mënyra jo më e mirë e reklamimit, por ata shpesh nuk e targetonin audiencën e duhur. Sot, i njëjti pronar dyqani është në gjendje të shesë produktet online dhe nuk është më i varur nga këto kanale marketingu. Ai ose ajo mund të targetojë audiencën e duhur përmes mjeteve të rrjeteve sociale, që janë më pak të kushtueshme dhe mund të arrijnë një numër të madh njerëzish në një periudhë më të shkurtër kohe.

Që kjo të jetë e mundur, një kompani duhet të përshtatet me avancimet teknologjike. Erisa drejton një dyqan rrobash në zonën e Bërrylit në Tiranë prej 8 vitesh. Ajo thotë për “Monitor” se rrjetet sociale e kanë ndihmuar që të zhvillojë më tepër aktivitetin, duke qenë se reklamimi i modeleve të fundit të rrobave apo aksesorëve në përgjithësi bëhet në mënyrë ideale. “Ne e kemi pasur dyqanin edhe pa nisur mirë bumi i rrjeteve sociale, më pas njerëzit na ndiqnin shumë në Facebook, tani më shumë në Instagram. Nga këto dy rrjete na vijnë shumë blerës, sidomos nga rrethet. Është kaq e lehtë t’i reklamosh, me kosto minimale ose pa kosto fare”, – thotë ajo.

Megjithatë, ana tjetër e medaljes u takon atyre më pak të prirë që të përqafojnë ndryshimet teknologjike. Disa tregtarë të vjetër të zonës që njihet si Tregu Çam në kryeqytet pohojnë për “Monitor” se vitet e fundit kanë më pak blerës në dyqanet e tyre. Arsyet, sipas tyre, përveç atyre ekonomike, lidhen edhe me faktin që dyqanet online apo ato me prani në rrjete sociale u kanë marrë një pjesë të klientëve “rastësorë”.

Nëse më parë, sipas tyre, kishte njerëz që vinin të shihnin për kuriozitet apo në kërkim të diçkaje të paramenduar, tani nuk ndodh më kjo. Të pyetur se pse nuk mendojnë që të jenë më të pranishëm në rrjetet sociale, përgjigjen se nuk janë shumë të fokusuar në këtë fushë dhe klientin duan që ta shohin në dyqanet e tyre. Ekspertët në botë thotë se tregjet në ndryshim të shpejtë kërkojnë reagime të shpejta. Kjo është ajo që e bëri Amazon të suksesshëm. E themeluar në vitin 1994, Amazon mbijetoi në tranzicionin teknologjik për t’u bërë një nga kompanitë më të mëdha sot në fushën e shitjeve me pakicë online.

Bizneset shqiptare, vetëm gjysma kanë faqe internet

Rreth 95% e kompanive me mbi 10 punonjës në Shqipëri kanë kompjuter, 91.4% e tyre kanë akses në internet dhe gati 50% e kompanive kanë një faqe ëeb, sipas një vrojtimi të fundit të INSTAT.

Për matjen e nivelit të treguesve të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, INSTAT ka kryer në vitin 2015 vrojtimin mbi “Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit” pranë ndërmarrjeve ekonomike me mbi 10 të punësuar. Në vitin 2015, kanë përdorur kompjuter për qëllime pune 95,0% e ndërmarrjeve me mbi 10 të punësuar. Të gjitha ndërmarrjet e mëdha me mbi 250 të punësuar rezultojnë të kenë përdorur kompjuter.

Punonjësit që kanë përdorur kompjuter për qëllime pune përbëjnë 24,4% të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve. Lidhur me aktivitetin ekonomik, përqindja më e ulët e punonjësve që përdorin kompjuter vërehet në aktivitetin e Industrisë Përpunuese (7,4%) dhe në aktivitetin e ndërtimit (19,0%). Kompjuterët janë përdorur në një masë më të madhe nga punonjësit e ndërmarrjeve që kanë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit dhe aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike. Përqindja e përdorimit të kompjuterit nga ndërmarrjet në Shqipëri është e njëjtë me vende të rajonit si Maqedonia (95%), por më e ulët krahasuar me mesataren e vendeve anëtare të BE-së (98%).

Për të njëjtën periudhë referuese, nga ndërmarrjet që përdorin kompjuter për qëllime pune, vetëm 3,8% e tyre nuk kanë akses në internet. Pjesa dërmuese e tyre prej 82% kanë pasur lidhje DSL ose lidhje të tjera broadbandi. Shpejtësia më e madhe e shkarkimit të informacionit, në 64% të ndërmarrjeve, ishte nga 2 Mbt/s deri në 10 Mbt/s. Përqindja e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet në Shqipëri (91,4%) është më e ulët krahasuar me vendet e rajonit si Maqedonia (98%), dhe me mesataren e vendeve anëtare të BE-së (99%).

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...