Banka e Shqipërisë po zbaton një plan masash me synim uljen e kreditimit në valutë, por në tremujorin e parë të këtij viti kredia vijon të rritet me ritme të dobëta e mbështetur tërësisht në valutë. Lajmin e dha Banka e Shqipërisë e cila analizoi zhvillimet e huadhënies nga bankat tregtare në tremujorin e parë të 2018.
Raporti për Tendencat e kreditimit vë në dukje se ritmet e rritjes së kredisë për sektorin privat kanë mbetur në nivele të moderuara, duke reflektuar nga njëra anë rritjen e qëndrueshme të kredisë për individë dhe nga ana tjetër luhatjet e kredisë për biznese. Sipas monedhave, kreditimi në lekë vijon të shfaqë norma më të larta rritjeje, por gjithsesi rritja e portofolit në tremujorin e parë ka reflektuar zgjerimin e kredisë në valutë për biznese.
Dominimi i portofolit të kredisë nga kreditimi në valutë, si dhe mbiçmimi i ndjeshëm i lekut ndaj valutave gjatë tremujorit të parë kanë diktuar një dinamikë të ndryshme të kredisë nominale nga zhvillimet reale. Për pasojë, analiza në vazhdim është mbështetur në të dhënat e kredisë për sektorin privat të pastruar nga efekti i kursit të këmbimit.
Kredia për biznese vijon të shfaqë norma të ulëta rritjeje të ngjashme me një tremujor më parë. Kërkesa për financim e bizneseve raportohet më e lartë nga bankat, ndërkohë që ato kanë shtrënguar standardet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe kanë lënë pothuajse të pandryshuara standardet për korporatat.
Në tremujorin e parë të vitit, kredia për biznese është rritur me 3.4 miliardë lekë, e mbështetur plotësisht nga kreditimi në valutë. Ndryshimi vjetor i portofolit shënoi 4.3%, normë kjo e përafërt me normën e rritjes në T4 2017. Kjo normë rritjeje deri diku ka reflektuar edhe një sezonalitet të ndryshëm nga më parë të muajve janar dhe shkurt, ku kredia është rritur në terma realë. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, në një perspektivë afatgjatë, ritmet e rritjes së portofolit të kredisë së bizneseve mbeten në nivele të moderuara. Kreditimi në lekë për bizneset, në fillim të vitit 2018, ka ruajtur normat e rritjes së tremujorit paraardhës. Rritja vjetore e këtij portofoli shënoi mesatarisht 4.4%, duke qenë ndjeshëm më e ulët se rritjet e shënuara një vit më parë (prej 10.2%). Krahas flukseve të ulëta të muajve të fundit, kjo ecuri është ndikuar edhe nga efekti bazë i rritjes së lartë të këtij portofoli një vit më parë.
Kredia e bizneseve për investime është rritur me 5.8% në T1 2018, duke dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e kredisë së bizneseve për këtë periudhë. Këto ritme janë lehtësisht më të larta se një tremujor më parë. Një ndikim pozitiv në këtë tremujor ka patur kredia për investime në sektorin e industrisë. Ndërsa, kredia për likuiditet ka mbajtur norma të ngjashme rritjeje në 2.4%, me ato vërejtur në tremujorin e fundit të vitit 2017.
Rritja e kredisë për biznese është mbështetur kryesisht nga kredia dhënë për qëllime investimi dhe në valutë. Sipas sektorëve të ekonomisë, ecuri më të mirë ka shfaqur sektori i shërbimeve./monitor/