Disa orë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në aksin Levan-Tepelenë, ku tre persona humbën jetën, pasi makina me të cilën udhëtonin ra në kanal, vijnë edhe dëshmitë e para. Një banor i zonës rrëfen momentin kur kanë parë makinë që kishte rënë në kanal.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, pranë fshatit Varibop. Tre personat e përfshirë në aksident po ktheheshin nga dasma për në shtëpi. Viktimat mendohet të jenë nga fshati Kute, pjesë e familjes Murataj.
“Njoftuam policinë, dhe futëm në ujë një fshatarin tonë që i nxori në anë të kanalit. Unë kam tokën këtu, edhe banorët e tjera erdhën në vendngjarje kështu si unë. Ky bashkëfshatari vuri re që ishte një i mbytur, dhe u fut ta nxirrte.
E nxori zvarrë zvarrë një femër, se ata dy të tjerët ishin brenda në makinë. Ai i nxori prapë me policinë. Nuk kam qenë kur kanë rënë në kanal. Kur erdhëm ne, u mblodhën shumë njerëz”, – rrëfen banori i zonës.
Viktimat janë identifikuar tashmë dhe mësohet se, bëhet fjalë për familjen e Fisnik Muratajt, i cili drejtonte mjetin dhe udhëtonte me gruan dhe vajzën. Familja kthehej në Greqi, ku dhe jetonin prej kohësh.
Informacioni i policisë:
"Në datën 09.04.2018, rreth orës 08:10, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në fshatin Varibop, në kanalin me ujë në anë të rrugës është gjetur i rrëzuar një mjet tip “Suzuki” me targa IHZ 1755.
Për pasojë janë mbytur dy persona, drejtuesi i mjetit dhe një shtetase tjetër, pasagjerja.
Paraprakisht dyshohet se mjeti ka dalë jashtë rruge gjatë natës.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e personave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes".