Shkolla e Mesme e Bashkuar “Oso Dauti” në Llugaj të Tropojës rrezikon të shembet e të zërë nxënësit brenda.
Çatia ka pësuar çarje dhe rrezikon të bjerë. Kati i parë i shkollës ka dalë jashtë funksionit, ndërsa mësimi zhvillohet në katin e dytë dhe të tretë. Palestra është kthyer në fole për dallëndyshet, ndërsa në tualete mungojnë lavamanët dhe dyert.
Veç kësaj situate, shumë klasa kanë mbetur pa dyer, ndërsa prej vitesh shkolla nuk furnizohet me banka e mjete shkollore.
Denoncimi ka ardhur nga drejtori i shkollës, nxënësit dhe stafi i mësuesve.
“Shiheni, situata është e dukshme, tavani rrezikon të shembet. Kati i parë i shkollës ka dalë jashtë funksionit. Lagështia dhe igrasia kanë pushtuar të gjithë ambientin. Unë kam 4 vite këtu dhe asnjëherë nuk është vënë dorë. Banka dhe karrige kemi vite që nuk marrim. Mësuesit, së bashku me prindërit kanë vendosur parà nga xhepi dhe i kanë blerë disa. Kemi pasur dy herë Drejtorinë e Shëndetit, e cila ka inspektuar dh ka nxjerrë edhe vendime, ku kërkohet të ndërhyhet për rrjetin elektrik, ambientet sanitare, si dhe të rregullohet dyshemeja e dyert e prishura”, u shpreh drejtori i shkollës, Abedin Kërnaja.
“Fiks Fare”, pasi kontaktoi me Bashkinë e Tropojës mori një përgjigje zyrtare, sipas së cilës, bashkia e ka bërë gati projektin për rikonstruksionin e shkollës, por nuk ka fonde për ta financuar, pasi ky i fundit kap shifrën prej 65 milionë lekësh, fond ky i papërballueshëm nga ana e pushtetit vendor.
Në shkresën zyrtare thuhet se, Bashkia ka aplikuar për financim në Ministrinë e Arsimit më 24 prill të këtij viti dhe pret përgjigje. Ndërkohë premtohet ndërhyrje në rikonstruksionin e tualeteve të shkollës.