Varfëria në kulmin e saj/ Punësim me paga minimale

Saturday, 02 June 2018 10:51

Propagandat e kryeministrit Edi Rama, për rritjen e punësimit apo rritjen e pagave s’kanë të sosur. Mirëpo faktet tregojnë një realitet krejt tjetër nga ai që Edi Rama mundohet të paraqesë.

Në Shqipëri, deri në fund të vitit 2017 kishte rreth 1.2 milionë persona të punësuar (1.195 mijë persona), ku meshkujt përbëjnë 56,8 % të të punësuarve dhe femrat 43,2 %, sipas një raporti të fundit të INSTAT.

Nga vlerësimet e anketës për vitin 2017, rezulton se 44,1 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 35,8 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,1 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

INSTAT raporton se gjatë vitit 2017, 29,6% e kontribuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare.

Të dhënat zyrtare për tre mujorin e dytë të 2017 tregojnë se paga minimale zyrtare është 24 mijë lekë. Në total, sipas përllogaritjeve të Monitor, rezulton që të punësuar me pagë në vend janë rreth 527 mijë persona, nga të cilët rreth 156 mijë (29.6%) paguhen me pagën minimale.

Ndërsa në vlerë absolute punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes janë rreth 240 mijë persona. (20.1% e të punësuarve).

INSTAT raporton se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 48.967 lekë.

Krahasuar me vitin 2016, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 3 %.

Hendeku gjinor në paga është 10,5 %. Pra meshkujt kanë një pagë mesatare mujore bruto  10,5 % më të lartë sesa femrat.

Krahasuar me një vit përpara, në vitin 2017 vihet re një rënie e lehtë të hendekut gjinor në paga me 0,9 pikë përqindje.

Të papunë janë 190 mijë persona, ndër të cilët 61 % janë meshkuj.

Shkalla zyrtare e papunësisë për grup moshën 15-74 vjeç është 13,7 %. Për meshkujt shkalla e papunësisë është 2,0 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat.

Nga viti 2016 në vitin 2017 punësimi është rritur me 3,3 %, ndërsa shkalla zyrtare e papunësisë (për grup-moshën 15-74 vjeç) është ulur me 1,5 pikë përqindje.

57,4 % e popullsisë 15-64 vjeç  është e punësuar, 9,4 % është e papunë dhe 33,2 % është ekonomikisht jo aktive (jashtë  forcave të punës).

64,3 % e meshkujve 15-64 vjeç janë të punësuar, 11,5 % janë të papunë dhe 24,2 % janë jashtë forcave të punës.

50,3 % e femrave 15-64 vjeç janë të punësuara, 7,4 % janë të papuna dhe 42,3 % janë jashtë forcave të punës.

Login to post comments