Janë 564 ankesa të paraqitura pranë Entit Rregullator të Energjisë nga konsumatorët gjatë vitit 2017, të cilët kanë kërkuar zgjidhjen e problematikave që lidhen me energjinë e pamatur, faturimin aforfe apo mbifaturime. Ky numër ankesash rezulton të jetë ulur me të paktën 41% në raport me vitin 2016 dhe është të paktën 7 herë më i vogël sesa në vitin 2015.
Enti bën të ditur në raportin e tij vjetor 2017 se janë 492 ankesa që i janë dërguar Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për të gjetur zgjidhje lidhur me problematikat që parashtrohen. Por cilat janë në fakt ankesat që kanë sot konsumatorët dhe që kërkojnë “arbitrimin” e ERE-s.
Për çfarë ankohen “shqiptarët” lidhur me energjinë
Edhe në vitin 2017, ashtu sikurse në vitin 2016, në krye të listës së ankesave është grupi i “energji e pamatur”. Të paktën 32% e gjithë ankesave i përkasin kësaj kategorie dhe qytetarët kanë kërkuar zgjidhje për fatura të vjetra të vitit 2011-2013.
“Vihet re se këto ankesa janë të mbartura dhe përfshijnë faturime të energjisë elektrike, të cilat kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të ushtruara nga shoqëria ‘CEZ Shpërndarje’ sh.a., gjatë periudhës 2011-2013, ku vihet re se në shumicën e rasteve të paraqitura, procesverbalet e mbajtura për konstatimin e ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemin e matjes janë kryer jo në praninë e klientit, në bokse kolektive të matësve të energjisë elektrike si dhe raste ku është lëshuar më shumë se një faturë, brenda 1 viti, që përmban ‘energji të pamatur’”, thuhet në raportin e ERE-s.
Grupi i dytë është ai i ankesave për “mbifaturim”, ku janë 136 të tilla apo 24% e totalit. Lidhur me këtë pjesë, ERE ka kërkuar që OSHEE të bëjë verifikim rast pas rasti, të cilët mund të kenë ardhur si efekt i mosrakordimit të gjendjes së hedhur në sistemin e faturimit me gjendjen reale të matësit, gabime nga ana e faturuesve apo vonesa në hedhjen e të dhënave të matësve të rinj në sistem. Numri i ankesave për faturim aforve është fiksuar në 32 raste. Kjo lidhet kryesisht me vendosjen e matësve në të gjithë vendin, si një komponent që ishte përfshirë në marrëveshjen e kredisë me Bankën Botërore. Në vitin 2016, pranë ERE-s u dorëzuan të paktën 105 ankesa për faturime aforfe.
ERE nënvizon se në vitin 2017 janë regjistruar edhe më pak ankesa lidhur me matjen jashtë kushteve teknike. Gjatë vitit 2017, janë evidentuar një numër relativisht më i vogël i ankesave me objekt “matjet jashtë kushteve teknike”, në krahasim me vitin 2016, ku ishin rreth 64 ankesa ose 7% e totalit, ndërsa gjatë 2017 konstatohen rreth 30 ankesa ose 5% e totalit. Edhe në këtë rast, sipas Entit, problematika është e trashëguar që nga vitet 2007-2013. Grupet e tjera të ankesave janë për “kontrata fiktive” dhe “faturim fiktiv”, për “vlera referuese”, si dhe një kategori përfshirëse e cilësuar si “të ndryshme”, ku janë të paktën 100 ankesa që nuk lidhen me asnjë nga grupet më të evidentuar nga ERE.
Gati gjysma e ankesave marrin përgjigje negative
Enti Rregullator i Energjisë ka bërë edhe një analizë të përgjigjeve që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ka dhënë për ankesat që i janë dërguar, ku rezulton se rreth gjysma e klientëve nuk kanë pasur të drejtë në atë që kanë kërkuar.
“Sa i takon problematikës së ankesave të trajtuara nga OSHEE sh.a. vërehet se nga 492 përgjigje të ardhura nga OSHEE sh.a gjatë vitit 2017: 173 prej tyre kanë pasur si subjekt anulimin e faturave të ankimuara, ose janë marrë parasysh rekomandimet e ERE-s dhe klienti ka rezultuar të ketë të drejtë dhe 219 prej tyre kanë pasur si subjekt kthim përgjigje negative lidhur me ankesat e klientëve, pra klienti nuk ka të drejtë”, – thuhet në raportin e ERE-s.
OSHEE ka vlerësuar se në të paktën 72 ankesa ka pasur mungesë dokumentacioni nga kjo e fundit për të gjykuar mbi ankesat e paraqitura. Për të mos lënë pezull duket se detyra e arbitrit i ka kaluar ERE-s, e cila bën të ditur se të gjitha ankesat që s’kanë dokumentacion po kalojnë rast pas rasti me seanca dëgjimore mes palëve pranë këtij institucioni. Për 28 kontrata të fundit, OSHEE ka dhënë përgjigjen se numri i kontratës nuk ka qenë i saktë.