Klandestinë, bëni gati valixhet, Salvini do ta mbajë premtimin

Diel, 03 June 2018 13:41

Ministri i brendshëm italian Matteo Salvini, njëkohësisht dhe zv/kryeministër, do të nisë sot vizitën e parë të punës në këtë funksion në ishullin e Siçilisë. Ai do të ndalet fillimisht në portin e Pozzalos, një nga portet më të rëndësishme të këtij ishulli si dhe një nga qytetet e përfshira gjerësisht nga fluski i madh i klandestinëve që zbarkojnë nga Afrika e Veriut, ku është ngritur dhe një hotspot që mikpret emigrantët e shpëtuar nga ujërat e Mesdheut.

Pak orë para nisjes së këtij udhëtimi pune, numri 1 i Ministrisë së Brendshme italiane ka deklaruar me tone të ashpra se komoditeti për klandestinët tashmë ka marrë fund. “Ata duhet të bëjnë gati valixhet e të largohen. Siçilia është kufiri ynë. Duhet të përmirësojmë marrëveshjet me vendet nga ku mbërrijnë emigrantët e dëshpëruar. Nuk mund të lejojmë më të mbajmë qindra mijëra prej tyre. Shteti duhet të bëjë shtetin e asnjë skafist nuk duhet të sulmojë më portet italiane,” është shprehur Salvini.
Gjithashtu ministri i brendshëm italian ka paralajmëruar shkurtime drastike të fondeve për mikpritjen e emigrantëve. “5 miliardë euro janë shumë. Duhet gjetur mënyra për t'i ndihmuar këta emigrantë në vendet e tyre të origjinës,” u shpreh Salvini, shkruan ora news.
Ai gjithashtu informoi se ditën e martë do të zhvillohet samiti i ministrave të brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian ku sipas Salvinit do të merret në diskutim një tjetër projekt për mikpritjen e klandestinëve, që parashikon hyrjen e 100 mijë emigrantëve të tjerë në vend. “Por ne nuk do e pranojmë e do të themi jo,” ka deklaruar ministri i brendshëm italian.

Login to post comments