Dënimi me 4 vite e tetë muaj për Ligor Bibën, nga fshati Velçan i Pogradecit, është i pamjaftueshëm për familjen e vajzës e cila u përdhunua.
Familja e 15-vjeçare që prej ditës që u bë publik vendimi ka thënë se do të bëjnë vetëgjyqësi në rast se shteti nuk reflekton.
Nëna e 15-vjeçares është shprehur së fundi se kur Biba të dalë nga burgu, ose do vritet, ose do të vrasë familjarët e vajzës.
‘’Nuk jam dakord me dënimin, kur të dalë nga burgu ose do e vrasë, ose do më vrasë. Ajo është fëmijë, nuk është e zonja e vetes. Do të hap vetë gjyq, nuk dua ta shoh më me sy. Më mirë të na vriste, se të përdhunonte vajzën. Duhet të dënohet më shumë, shteti s’na pyeti. S’na kanë thirrur as në gjyq, vajza rri me frikë. Unë Ligor Bibën e kam hasëm”, është shprehur nëna e 15-vjeçares.
Prokuroria e Korçës kishte kërkuar 8 vjet burg për Bibën, i cili fillimisht mohoi akuzat, por analizat e ADN-së provuan atësinë e foshnjës së ardhur në jetë, ndaj ai ndërroi dëshminë në gjykatë duke pranuar fajësinë, por sërish ngulmoi se nuk bëhej fjalë për përdhunim.
15 vjeçarja e abuzuar e ka lënë fëmijën e ardhur në jetë në shtëpinë e foshnjës në Tiranë, ndërsa gjatë muajve të procesit gjyqësor ndaj 55 vjeçarit familja e saj në fshatin e Pogradecit ka denoncuar shpesh herë në media, presione të pretenduara nga ana e familjes së Ligor Bibës.