Jeni emigrantë në Itali? Ja si mund të përfitoni ndihma nga shteti

Hënë, 04 June 2018 14:45

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali mund të përfitojnë ndihmë familjare, nëse përmbushin kriteret e përcaktuara bazuar në të ardhurat që kanë. Kjo pagesë nga shteti italian u jepet punonjësve të punësuar; atyre me përfitime nga papunësia; punonjësve të punësuar në bujqësi; punonjësve që shërbejnë në familje; punonjësve të riregjistruar në administrime të ndara; mbajtësve të pensioneve; mbajtësve të përfitimeve nga sigurimet shoqërore dhe punonjësve në kushte të tjera me pagesa direkte.

Kushtet e përfitimit
Synimi kryesor i dhënies së kësaj pagese është për të ndihmuar familjet e të punësuarve publikë e privatë dhe pensionistët që janë mbajtës të pensionit si rezultat i punës si të punësuar, kur përbërja familjare është me shumë persona dhe të ardhurat janë nën kufirin e të ardhurave të përcaktuara nga ligji. “Llogaritjet bëhen sipas përbërjes familjare, të numrit të anëtarëve të familjes dhe të ardhurave të përgjithshme të këtij numri, ku përfshihen shuma pagesash sipas kufijve të të ardhurave, duke u favorizuar ato familje që janë në gjendje më të vështirë ( p.sh. prindër të vetëm apo anëtarët me aftësi të kufizuara). Shumat e pagesave publikohet çdo vit nga INPS në tabela të vlefshme nga 1 korriku i çdo viti deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Të ardhurat familjare për t’u marrë në konsideratë për dhënien e pagesës, janë të ardhurat e pagës bruto që merren në përllogaritjet tatimore para zbritjeve që bëhen nga këta organe”,-thekson për “Gazeta Shqiptare”, drejtuesja e patronatit, INAS Albania, Beskida Aliaj.

Kjo e fundit shton se merren në konsideratë edhe të ardhurat të përjashtuara nga taksat dhe ata që janë si objekt i tatimit në burim, në qoftë se kjo shumë kalon një total prej 1,032.91 €, e cila llogaritet si produkt i vitit kalendarik më 1 korrik të çdo viti, deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm. Pagesën për ndihmë familjare mund ta përfitojnë familjet që përbëhen nga: punëkërkues ose mbajtës të pensioneve; bashkëshorti, i cili nuk është ligjërisht dhe efektivisht i ndarë edhe pse nuk bashkëjeton, por nuk e ka braktisur familjen; fëmijët dhe të barasvlershëm me ta, nën moshën 18 vjeç, që bashkëjetojnë ose nuk bashkëjetojnë; si dhe fëmijët dhe të barasvlershëm me ta, maxhorenë të paaftë, me kusht që të jenë të pamartuar, të cilët duhet të jenë të pajisur me autorizimin përkatës.Sipas legjislacionit italian konsiderohen persona të paaftë ata persona, që për arsye fizike ose mendore, janë në pamundësi absolute dhe të përhershme për t’u ingranuar në punë produktive. Gjithashtu këtë ndihmë familjare mund ta marrin edhe familjet që kanë në përbërje: studentët ose specializantët, të moshës mbi 18 vjeç dhe nën moshën 21 vjeç, me kusht që të jenë pjesë e “përbërjes së numrit në familje”, kjo vetëm për familjet me të paktën katër fëmijë, të gjithë nën moshën 26 vjeç ; vëllezërit, motrat dhe nipërit e aplikantit minorenë dhe maxhorenë, ose të paaftë, vetëm në rast se ata kanë humbur të dy prindërit, nuk e kanë fituar të drejtën e përfitimit të pensionit familjar dhe nuk janë të martuar; si dhe nipërit të moshës nën 18 vjeç, që jetojnë në ngarkim të aplikuesit. “Mbajtësit e pensionit të pleqërisë dhe familjar, kanë të drejtë pagese për ndihmë familjare, nëse familja përbëhet nga bashkëshortë të pasjetuar (superstite) që janë mbajtës pensioni, dhe nga fëmijë ose ekuivalentë të tyre nën moshën 18 vjeç ose maxhorenëve të paaftë mbajtës ose bashkëmbajtës të pensionit. Pagesa për ndihmë familjare nuk jepet në rast se shuma e të ardhurave nga puna si i punësuar ose e marrë nga pensioni, ose përfitim tjetër të sigurimeve shoqërore të prejardhura nga puna si i punësuar, është më e vogël se 70 % e të ardhurave familjare në total”,-bën me dije Aliaj.

Kërkesa
Kërkesa duhet të paraqitet për çdo vit kur personit i ka lindur e drejta për ta përfituar nga punëdhënësi përkatës; INPS në rast se aplikanti është i punësuar në shërbimin familjar etj. Nëse kërkesa paraqitet për pagesa të periudhave të mëparshme, fillimi i pagesave të prapambetura paguhet deri në një maksimum prej pesë vjetësh. Ekspertja e pensioneve bën me dije për ‘GSH’ se nuk duhet të deklarohen si të ardhura: trajtimet me pagesa në përfundim të raporteve të punës; trajtimet e familjes, të përfituara e të pagueshme sipas ligjit; si pagesat vjetore të paguara nga INAIL, pensionet e luftës, pensionet për viktimat e një aksidenti; pagesa për personat që shoqërojnë invalidët civilë, të verbër absolutë civilë, të mitur invalidë të cilët nuk mund të ecin, si dhe për pensionistët me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, nuk mund të deklarohen si të ardhura pagesat e mundësimit të komunikimit për persona të shurdhër dhe për persona të verbër të pjesshëm; të ardhura për dëme të pakthyeshme në vaksinimet e detyrueshme, transfuzioneve të gjakut dhe injeksione të ndryshme; të prapambetura të pushimeve nga puna, të ardhura të ofruara, të cilat i referohen viteve të mëparshme; të ardhura nga transferta për pjesën që nuk u nënshtrohen tatimeve fiskale; si dhe të ardhurat për ushqim, marrë nga bashkëshorti/ja ndarë ligjërisht në ngarkim të aplikuesit/ses të kërkuara me destinacion për ushqimin e fëmijëve.

Të dhëna

Personat që nuk përfshihen në përbërjen familjare:
Bashkëshortët ligjërisht dhe efektivisht të ndarë;
Bashkëshortët që kanë braktisur familjen
Fëmijët në kujdestari nga bashkëshort tjetër ( në rast të ndarjes ligjore ose divorcit )
Familjarë të qytetarëve të huaj, jo rezident në Itali
Fëmijët natyralë, të njohur nga të dy prindërit që nuk bashkëjetojnë me aplikuesin.
Fëmijët natyralë të aplikuesit të martuar, që nuk janë përfshirë në përbërjen e familjes ligjore.
Fëmijët dhe të barasvlershmit madhorë, jo të paaftë fizikisht dhe që janë të aftë për punë.
Fëmijët e mitur dhe madhorë të paaftë fizikisht, të cilët janë martuar.
Vëllezërit, motrat dhe nipërit e aplikuesit edhe në rast se janë të paaftë, që janë jetimë vetëm të një prindi ose mbajtësit të një pensioni familja, ose që janë martuar.
Prindërit dhe të tjerë persona të shtuar.

Përfituesit

Pagesën për ndihmë familjare mund ta përfitojnë familjet që përbëhen nga:
punëkërkues ose mbajtës të pensioneve;
bashkëshorti i cili nuk është ligjërisht dhe efektivisht i ndarë edhe pse nuk bashkëjeton, por nuk e ka braktisur familjen 
fëmijët dhe të barasvlershëm me ta, nën moshën18 vjeç, që bashkëjetojnë ose nuk bashkëjetojnë;
fëmijët dhe të barasvlershëm me ta, maxhorenë të paaftë, me kusht që të jenë të pamartuar, të cilët duhet të jenë të pajisur me autorizimin përkatës.
Konsiderohen persona të paaftë ata persona, që për defekt fizik ose mendor, janë në pamundësi absolute dhe të përhershme për t’u ingranuar në punë produktive.
fëmijët dhe të barasvlershëm me ta, studentët ose specializantët, të moshës mbi 18 vjeç dhe nën moshën 21 vjeç, me kusht që të jenë pjesë e “përbërjes së numrit në familje”, kjo vetëm për familjet me të paktën katër fëmijë, të gjithë nën moshën 26 vjeç ;
vëllezërit, motrat dhe nipërit e aplikantit minorenë dhe maxhorenë, ose të paaftë, vetëm në rast se ata kanë humbur të dy prindërit, nuk e kanë fituar të drejtën e përfitimit të pensionit familjar dhe nuk janë të martuar.
nipërit të moshës nën 18 vjeç, që jetojnë në ngarkim të aplikuesit.

Login to post comments