Vetëm në muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur një numër i madh aksidentesh automobilistike, kryesisht në muajt janar dhe shkurt.
Janë me qindra aksidente të ndodhura në rrugët e Shqipërisë, me pasojë vdekjen në aksidentet më të rënda si ajo e familjes Preka në Shkodër apo dhjetëra të plagosur.
Sipas specialistëve të Policisë Rrugore, shkaktarë për këto aksidente kanë qenë dy faktorë: Shpejtësia tej normave e lëvizjes së drejtuesve të automjeteve në rrugë dhe mungesa e infrastrukturës rrugore.
Lejet e ndërtimit pa kriter buzë autostradave janë burim i përhershëm aksidentesh.
Një numër aksidentesh janë shënuar edhe në ditët e para të nisjes së sezonit turistik, për shkak të shtimit të fluksit të lëvizjes.
Shqipëria zë vendin e katërt në Europë përsa u përket numrit të lartë të viktimave nga aksidentet rrugore.
Rrugët e Shqipërisë konsiderohen ndër më vdekjeprurëset me 20.4 viktima për 100 mijë banorë.
Aksidentet rrugore shkaktojnë thuajse një viktimë çdo ditë në Shqipëri dhe kanë marrë mbi 26 mijë jetë njerëzish në periudhën postkomuniste.
Ndërkohë që qeveria bën një sy qorr përpara këtyre shifrave tronditëse dhe jo vetëm që nuk i mirëmban këto rrugë që janë, por kujdeset që të taksojë çdo hap që qytetarët hedhin.
Të ecësh në Shqipëri kushton shtrenjtë, aq shtrenjtë sa vihet në lojë edhe jeta.