Teksa sezoni turistik ka nisur dhe qindra turistë janë dyndur drejt rajoneve bregdetare, shqetësimi i të gjithëve është fakti, se a do të kenë mundësi akomodimi, nëse më parë nuk kanë prenotuar.Të tillë shqetësim e ndau me banorët e Lushnjes edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi teksa ishte në një takim në kaudër të llogaridhënies së qeverisë, ku Klosi tha, se për herë të parë në Shqipëri numërohen më shumë turistë sesa shtretër, duke theksuar, se patjetër duhet të shtohen ofertat turistike.Për Klosin, vetëm kështu mund të rritet shërbimi për të përballuar prurjet e turistëve.“Në qoftë se ne nuk ndërrojmë mentalitet dhe kuptojmë që duhet t’i shërbejmë turizmit si industri ne nuk e kemi të mundur të ecim përpara. vërtet ka një numër të madh turistësh të shtuar këtë vit dhe ndoshta jemi për herë të parë në historinë e Shqipërisë në të cilën numri i turistëve është më i madh se numri i shtretërve që kemi dhe Shqipëria në zonat turistike është e mbiprenotuar, por kemi një shqetësim shumë të madh.A jemi të gatshëm ne t’u shërbejmë, të ofrojmë shërbim cilësor, shërbim infrastrukturor, dhe këtu në Lushnje kemi një bisedë shumë të fortë përsa i përket furnizimit me ushqime. A jemi të gatshëm që të furnizojmë dhe të mbajmë kaq shumë turistë?Mbi 5 milionë turistë kanë qenë vjet dhe presim të vijmë mbi 6 milionë turistë. Na duhet shumë punë që kudo në Shqipëri të shtojmë ofertën turistike. Nëse nuk kuptojmë që duhet t’i shërbejmë turizmit si industri nuk do të ecim përpara”- u shpreh Klosi.Klosi theksoi se qëllimi i dikasterit të tij është shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion europian turistik dhe gjetja e një ekuilibri midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së qëndrueshme të Mjedisit.