Nder përjetë dëshmorëve të Tropojës, Kosovës dhe të Kombit!

Tuesday, 05 June 2018 09:29

Nga Besnik Dushaj

Të dashur vëllezër e motra që keni ardhur nga Kosova!. Të respektuara familje të dëshmorëve!. I nderuar deputet i Tropojës!. I nderuar ambasador i Shqipërisë në Kosovë!. Të nderuar drejtues vendor nga Kosova e Shqipëria!. Të nderuar pjesëmarrës!.

Jemi mbledhur sot, për të kujtuar e nderuar një ngjarje historike, siç është mikpritja e mijëra vëllezërve nga Kosova këtu në Tropojë, që në atë fillim qershori të vitit 1998, kaluan në kushte të jashtëzakonshme kufirin dhe erdhën këtu për të shpëtuar jetën e fëmijëve, grave e të moshuarve nga barbaria serbe.
Seç pritje u bëri Tropoja vëllezërve te vet nuk e kemi zakon ta diskutojmë, sepse atë që bën vëllai për vëllanë nuk komentohet. Por ato ditë fati e solli që në qytetin tonë të ishte një nga heronjtë e luftës së Kosovës, Sali Çekaj, i cili në një intervistë për "Bota Sot", me 8 qershor 1998 u shpreh:
"Para se gjithash, në këto situata është e vështirë me gjetë fjalë të mençme e fjalë miradije, fjalë që kishin me shprehë gjithë atë që njeriu dëshiron me shprehë.

E them këtë sepse gjenerata jonë nuk është mësuar të ballafaqohet me situata të këtilla, gjeneratat e mëparshme e kanë përjetue edhe këtë gjë, por ne jo, prandaj për ne ka qënë më e vështirë ta përjetojmë një eksod, një tërheqje në masë të madhe të popullsisë shqiptare nga Kosova, nëpër një rrugë aq të vështirë për tu vendosë në Tropojë. Mirëpo është kënaqësi e veçantë që të shohësh gatishmërinë e vëllezërve, motrave dhe gjithë bashkëkombësve tanë nga Tropoja e vise të tjera shqiptare.
Një gadishmëri për ta ndarë bashkë edhe kafshatën e bukës, edhe pse të vetëdijshëm se ndoshta pas tri ditëve nuk do të kenë çka të hanë më. Por sot po e ndajnë kafshatën përgjysmë. Kjo tregon se shqiptarët e Kosovës kanë se ku të mbështetën. Dhe sot e nesër do të kenë mbështetjen e popullit shqiptar të Shqipërisë e të viseve shqiptare rreth kufirit. Kjo do të thotë që populli i Kosovës, pavarësisht situatave që do të krijohen, do të ketë një mbështetje reale."
Pas një viti, Sali Çeku me Agim Ramadanin e bashkëluftëtarët e tyre, pas gati 100 vite ndarje, bashkuan tokën shqiptare, pikërisht në kufijtë e Tropojës, dhe vet ranë si drangojë në betejën e Koshares.
Vëllezër e motra! Është momenti për të nderuar luftën legjendare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qindra martirët e rënë në këtë luftë.
Për ne Kosova ishte vazhdim i kombit tonë, ishte dhe është pjesë e gjakut dhe historisë sonë.
Ndarjen e kombit 100 vjet më parë e përjetoi me dhimbje çdo shqiptar në të dyja anët e kufirit, por jam i sigurt se asnjë krahinë tjetër nuk e vuajti më shumë, nuk e përjetoi më me dhimbje se Malësia e Gjakovës, e kjo ndodhi jo vetëm se gjeografikisht ishim ngjitur, por nga lidhjet e forta vëllazërore që ekzistonin dhe ekzistojnë mes Malësisë së Gjakovës me Gjakovën, por dhe me krejt Kosovën.
Për lirinë e Kosovës dhe të Malësisë së Gjakovës me mijëra burra e gra kanë dhënë jetën në breza, janë djegë e shkatërrue, kanë provuar tmerre, por edhe gëzimin e fitoreve dhe të lirisë.
Në ditët e vështira të qershorit 1998 dhe në vazhdim, populli i Tropojës dhe gjithë drejtuesit e njësive vendore, duke filluar nga Bashkia e Bajram Currit, komunat e Tropojës, Bujanit, Bytyçit, Llugajt, Margegajt deri në Fierzë e Lekbibaj, u angazhuan ditën e natën për sigurimin e kushteve sa më të mira për të ardhurit nga Kosova.
Siç shkruan gazeta Illyria e Amerikës e asaj kohe, kujdesi arriti deri aty sa të nesërmen e mbërritjes fëmijët kosovarë kishin mundësinë të ulen të gjithë në bankat e shkollave bashkë me fëmijët tropojanë.
Mikpritja nëpër shtëpia ka qenë shumë e ngrohtë, malësorët me të gjitha mundësitë e tyre bënë çdo gjë për t’i shlodhë e qetësuar shpirtërat e trazuar e të tronditur të grave, fëmijëve e të moshuarve, që kishin lënë pas shtëpitë e tyre në flakë dhe burrat në një përleshje për jetë a vdekje për lirinë e Kosovës
Vëllezër e motra!
Ata që e kujtojnë atë kohë, pra pranverën e verën e vitit 1998, e dinë mirë se Tropoja përveç varfërisë e skamjes kalonte momentet më të vështira në historinë e saj, e kjo prej bandave të përgjakshme të asaj kohe, që e bënin të vështirë jetesën dhe mikpritjen e vëllezërve nga Kosova.
Megjithatë populli i Tropojës triumfoi, dhe djemtë e tij, ajka e rinisë mori pjesë direkt në luftën për lirinë e Kosovës dhe disa prej tyre dhanë edhe jetën.
Historia do të kujtojë e do të shkruajë me gërma të arta emrat e luftëtarëve dhe martirëve të lirisë Tahir Sinani, Bylbyl Breçani, Fatmir Hasandoçi, e shumë dëshmorë të tjerë tropojanë që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.
Nder përjetë për dëshmorët e Tropojës, Kosovës dhe të kombit!. Faleminderit!

Fjala ne 20-vjetorin e eksodit te vëllezërve kosovare në Tropojë

Modifikuar më Tuesday, 05 June 2018 09:32
Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...