Procesi i Vetingut po vijon me kalendar të ngjeshur për sa i përket skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë, ndërkohë që më 8 qershor, këtij procesi do t’i nënshtrohet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shpallur kalendarin e seancave dëgjimore ku në datën 8 qershor në orën 10:00 do të dalë në seancë dëgjimore kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.
Po ashtu bëhet e ditur se trupa që do të gjykojë dosjen e tij do të përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.
Në bazë të ligjit të Vetingut, kreu i Kushtetueses do të skanohet për tre kriteret siç është ai i pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.
Gjykata Kushtetuese është me trupë të reduktuar, pasi ka mbetur me vetëm tre anëtarë.
Më herët dha dorëheqjen gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Besnik Imeraj, ndërsa u shkarkuan Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha. Ndërsa e vetmja që e kaloi Vetingun ishte anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.
Pas shpalljes së datës së seancës dëgjimore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për skanimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, i vetmi që nuk kanë kaluar në sitën e vettingut është anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari.