Komisioni Evropian i ka dhënë Shqipërisë rekomandim pa kushte sa i përket hapjes së negociatave. Pavarësisht se zyrtarët në Bruksel e kanë konsideruar këtë lëvizje të detyruar për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rritjes së influencës së Rusisë dhe Turqisë në rajonin tonë, sërish vendimi është pritur me entuziazëm nga shqiptarët, të cilët ëndërrojnë zhvillimin brenda Bashkimit Evropian. Por ndryshe nga shqiptarët, ky rekomandim nuk është pritur me entuziasëm në disa kancelari të rëndësishme të BE-së, por përkundrazi, ato po tregohen gjithnjë e më shumë skeptike në këtë drejtim.
Raporti i fundit i publikuar po nga Komisioni Evropian mbi cilësinë e jetës në Evropë, duket se i jep të drejtë skepticizmit që Holanda, Gjermania dhe Franca kanë ndaj punës së Qeverisë Shqiptare. Në listën e pyetjeve për gjërat që munden apo nuk munden të përballojnë, shqiptarët kanë një renditje të keqe me 3.8 pikë, ndërkohë mesatarja evropiane është 1.1.
-A keni mundësi të mbani shtëpinë tuaj mjaftueshëm ngrohtë;
-Të paguash për pushime vjetore një javë larg shtëpisë (duke mos qëndruar me të afërmit);
-Të zëvendësosh mobiliet e vjetruara;
-Të hash mish, pulë, peshk, çdo dy ditë nëse do të dëshironit;
-Të blesh veshje të reja, në vend të atyre të përdorura;
– Të ftosh miqtë ose familjen për një pije, ose për të ngrënë, të paktën njëherë në muaj.
Këto kanë qenë pyetjet që u janë drejtuar 1000 personave në periudhën nëntor 2016 – mars 2017 dhe rezultatet e Shqipërisë janë skandaloze. 40% e shqiptarëve janë shprehur se nuk mund të ngrohin mjaftueshëm shtëpitë. Kjo është përqindja më lartë në kontinent. Të dytët renditen fqinjët tanë, grekët, të cilët 33% deklaruan se nuk e përballonin dot ngrohjen e shtëpisë, të ndjekur nga turqit me 30%. Ndërkohë, mesatarja në vendet e Bashkimit Europian e atyre që janë përgjigjur se nuk mund të përballojnë ngrohjen e shtëpisë ishte vetëm 9%.
Pyetjes nëse kanë mundësi që të zëvendësojnë mobiliet apo pajisjet e vjetra të shtëpisë, 85% e shqiptarëve i janë përgjigjur “jo”, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian, mesatarja e këtij treguesi është 30%. Fakti më skandaloz është rezultati i pyetjes nëse mund të përballojnë ngrënien e mishit, pulës ose peshkut, një herë në dy ditë. 59% e shqiptarëve thonë se nuk e përballojnë dot këtë ushqim, ndërkohë që mesatarja në Evropë është vetëm 8%. Pas Shqipërisë renditet Turqia me 39% dhe Maqedonia me 30%.
Në të njëjtën situatë jemi edhe kur bëhet fjalë për 1 javë pushime në vit. 83% e shqiptarëve nuk i përballojnë dot këto pushime dhe mesatarja në Evropë është 33%. 62% e të pyeturve në Shqipëri thonë se nuk mund të përballojnë blerjen e veshjeve të reja. Në Europë, kjo përqindje ishte vetëm 15.
Shqiptarët kanë vështirësi edhe në dhënien e një darke të paktën një herë në muaj për miqtë apo familjarët. 47% shprehen se nuk e përballojnë dot, përqindja më e lartë në Ballkanin Perëndimor.
Diferenca e shqiptarëve me mesataren evropiane është rreth 50% në çdo pyetje, por më shqetësues është fakti se edhe në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor, kjo diferencë luhatet nga 10% në mbi 20%.