“Danieli dinte not, por u ngatërrua me myshqet”. Kjo është dëshmia tronditëse e siguruar për ‘BalkanWeb’ e dy shokëve të 12-vjeçarit që u mbyt sot në liqenin e Farkës. Ndonëse shkuan si çdo herë të laheshin të tre sëbashku, Danieli, nuk mundi të dilte prej liqenit, ndërsa gjeti vdekjen tragjikisht. Të tronditur për ngjarjen e rëndë, dy vogëlushët thanë se shoku i tyre ishte zhytur në ujë, pasi kishte rrëshqitur në barishte dhe më pas nuk e kishin parë më.
“Kemi shkuar shpesh në liqen për t’u larë. Por sot kur u zhytem, ai nuk mundi të dalte pasi rrëshqiti në barishtet e liqenit. Kur ai nuk doli u futëm për ta nxjerrë por nuk e pamë. Fundi i liqenit ishte i turbull”, thanë dy shokët e viktimës para oficerëve të policisë në komisariatin nr.1 në Tiranë. Aktualisht palombarët po vijojnë kërkimet për nxjerrjen e trupit të pajetë të 12-vjeçarit, banues në Shkozë. BW