Në Shqipëri Komisioni parlamentar i Medias zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kryeredaktorin e gazetës Rilindja Demokratike, Bledi Kasmi i cili mbeti i plagosur gjatë protestës së opozitës më 26 maj pranë Ministrisë së Brendshme
Gazetari Kasmi deklaroi se ai u godit disa herë nga një prej pjesëtarëve të forcave speciale që kishin krijuar një kordon mbrojtës pranë ministrisë, ndërsa po tentonin të sprapsnin manifestuesit.
Ai u shpreh, se gjendej si gazetar dhe se sipas tij, goditja kishte qenë e qëllimshme pasi anëtari i forcave speciale që e qëlloi u shkëput nga radha e dytë e forcave të policisë dhe më pas u tërhoq, dhe korridori i policëve sërish e mbuloi atë për të mbuluar aktin e dënueshëm dhe barbar të asaj goditje nga ana e tij”, u shpreh gazetari Kasmi.
Policia ka premtuar verifikimin e rastit por ende nuk ka një rezultat.
Pas fjalës së kryeredaktorit të RD-ës, anëtarët e Komisionit u përfshin në debate të ashpra dhe në shkëmbime replikash të forta politike. Përfaqësuesit e opozitës akuzuan policinë për akte të dhunshme, ndërkohë që deputetët e shumicës u shprehën se Kasmi nuk kishte qenë si gazetar në protestë. Ata sollën në kujtesë dhe ngjarjet e 21 Janarit 2011 ku mbeti i plagosur në dorë nga një e shtënë arme një gazetar. /VOA.