Fermerët e 7 fshatrave të Çermës në Divjakë thonë se po u thahen prodhimet bujqësore.
Toka çahet në verë, ndërsa në dimër e njëjta sipërfaqe përmbytet. Situata përsëritet prej shumë vitesh. Kanali i dytë që çon ujin pranë parcelave e që duhet të menaxhohet nga bashkia është pastruar pjesërisht, ndërsa kanalet e treta, ato që duhet të pastrohen nga vetë pronarët e tokës, pasi janë vijat e ujit që përdoren nëpër parcela, janë të bllokuara.
“Nuk bëhet fjalë për vaditje. Kanali nuk është përfunduar. Nuk kemi ujë sepse me përmbytjet, kanali kryesor ka dalë në det”, thonë fermerët.
Këto toka janë vetëm 1 km larg nga lumi. Dikur vaditeshin rregullisht, pasi kanali furnizohej nga stacionet e pompimit që merrnin ujë nga lumi Shkumbin.
Por, këto stacione kane dalë jashtë funksionit si pasojë e vjedhjes dhe dëmtimit 25 vitet e fundit.
Fermerët u bëjnë thirrje edhe bashkëfshatarëve që të pastrojnë kanalet e tyre, ndërsa institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë për të menaxhuar situatën.