Nga Dom Pjetër Popaj
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në jetën e saj prej 106 vitesh ka krijuar traditën e harmonisë fetarë. Në shumë prej kremtimeve të saj apo veprimtarive komunitare apo historike, ajo fton klerikët e tri feve dhe sipas radhës, njëri prej tyre ose të tre bashkë bëjnë bekimin e darkës. Bekimin e darkës për 106 vjetorin e themelimit të Vatrës e bëri famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj.
Fjala e klerikut të nderuar u mirëprit dhe u duartrokit. Në mënyrë të figurshme dom Pjëtër Popaj zbërtheu anën leksikore të emërtesës së federatës, Vatra, dhe solli kujtimet rreth vatrës familjare dukë kaluar në përgjithësimin e simbolikës së vatrës. Lexojeni të plotë:
Klerikë të nderuar
Zoti Kryetar-Dritan Mishto!. Vatranë, mysafirë, vëllezër dhë motra: Mirëmbrëma!
Është nder për mua që më jepet rasti të bëj bekimin e kësaj darke dhe t’ju përshëndes.
Sonte jemi bashkuar të kremtojmë 106 vjetorin e themelimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës me emrin e bukur “VATRA”.
Në vitet 1911-1912 shumë ngjarje i ndodhën popullit tonë. Në pragun e deklarimit të Pavarësisë së Shqipërisë të ngriturit e Flamurit Kombëtar prej Dedë Gjo Lulit në Deçiq dhe të Ismail Qemalit në Vlorë, Vatra themelohët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Populli ynë ka kaluar shumë kriza gjatë dominimit të huaj-ishte koha për tu bashkuar si një popull i një gjaku, gjuhe, kulture. Dhe Vatra themelohet pikërisht për këtë qëllim më 28 prill.
Dikur rreth vatrës uleshin anëtarët e familjes për tu ngrohur afër zjarrit. Më kujtohet si fëmijë ajo kënaqësi familjare në mbrëmje kur bashkoheshim rreth Vatrës; aty i luteshim Zotit; e thonim Uratën, rruzaren. Aty dëgjonim këshillimet ë prindërve; babai tregonte dhe ngjarje e tregime sikur i kishte dëgjuar prej babait të vet. Ndërkohë ndër vargoj ishte duke zjerë darka e buka duke u pjekur nën kaki. Drita e zjarrit i shndriste fytyrat tona e ngrohtësia e tij krijonte një sadisfaksion të thellë në brendësinë e zemrave tona; krijohej një atmosferë shpirtërorë që të shpije në përjetim të papërshkruar.
Kur mendoj për Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA mendoj këtë gjë; Në një rreth më të gjerë Vatra mbledh bijtë e bijat shqiptare rreth vetes. Zjarri është një gjë simbolikë, psh Lëvizja e flakës është shenjë e Jetës, gjallërisë. Drita e flakës është shenjë e shpresës se njerëzit që jetojnë në dritë jetojnë në shpresë, dhe nxehtësia e flakës është shenjë e dashurisë. Shën Pali në letër drejtuar korintasve thotë se dashuria, është më i madhi virtyt.
Jam i sigurt se qëllimi i Vatrës ka pasur edhe këtë anë tjetër shpirtërorë dukë pasur një prift e pastaj Peshkop, Hirësinë e Tij Fan Nolin si themelues kryesor e Kryetar, ndihmuar prej Faik Konicës, Gazeta Dielli etj.
Nga zanafilla, Vatra ka luajtur role të ndryshme për shqiptarët në diasporë por edhe në vendlindje. Këtu në Amerikë ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, duke u ndihmuar në nevojat e tyre. Në vendlindje ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës së parë botërore, në kohën e fashizmit, në Luftën e II Botërore, gjatë komunizmit si edhe për çlirimin e Kosovës.
Vatra ka qenë gjithherë pran popullit të vet. Të kqyrësh drejt të gjithë shqiptarët duhet ta ndjejnë veten si në shtëpi te Vatra sepse çdo shqiptar i takon Vatrës dhe çdo njëri duhet ta ndihmojë atë që të vazhdojë misionin për nevojat e tjera që kemi në diasporë. Tani, njëri prej problemeve është asimilimi. Si mundemi ta ruajmë gjuhën e kulturën, traditat e lashta shqiptare pa u shkrirë sikur kulturat e tjera.
Këtu në Amerikë, nuk kemi diskriminime, shtypje dallime prej shtetit e popullit por të kundërtën, lirinë e plotë që bën të ndjehesh sikur vendas. Mirësia e Liria e plotë e bëjnë asimilimin më të shpëjtë. Sikur në fillim që ishtë Besa-Besë” duhet edhe tani që të mbajmë porosinë e të parëve tanë: Mos harro se kush je, se Je Shqiptar!.
Vatra është njëra nga shoqatat më të rëndësishmë që mund të ndihmojë shumë ngadalësimin e asimilimit. Nuk mundet të ndalohet krejtësisht por mostjetër të ngadalësohet. Të mësosh anglisht është e domosdoshme, por nuk do të thotë të harrosh shqipen.
Më kujtohet një çift i ri që kishin ardhë për tu përgatitë për martesë. Dhe pas shpjegimeve , të gjitha u bënë në rregull, në fund më tha: Kam një kërkesë. A mund të ta vësh Kurorën në gjuhën anglisht sepse e kuptoj më mirë se shqipen?!
E unë i tronditur i thashë, ti akoma nuk i ke mbushë 10 vjet në Amerikë dhe ka harruar shqipen, ne kemi 50 vjet në Amerikë dhe nuk kemi harruar dhe ende nuk e kemi harruar. Bile tani po flasim edhe më mirë. Dhe vazhdova; nuk ka gjuhë ma të bukur se gjuha jonë. Kur e din një gjuhë të huaj është mirë, por të dish të flasësh shqip është e detyrushme.
Në sonte e falenderojmë Zotin që na ka bashkuar si vëllezër e motra shqiptarë. Falënderojmë Vatrën për shërbimin e shkëlqyeshëm tash 106 vjet me radhë. Për çdo vjet na ka bashkuar për festën e Pavarësisë sonë, Ditës së Flamurit Kombëtar, e festime të tjera.
E lusim Zotin që të vazhdojë punën e shkëlqyeshme dhe që anasjelltas të gjithë ta përkrahim për dobinë tonë si Komb! Falënderojmë kryetarët e Vatrës që kanë shërbyer ndër vite, në veçanti të ndjerin Agim Karagjozi, që tani ka kaluar në amshim. Qoftë mirë në atë Jetë! Dhe gjithë të tjerët, para e mbas tij!
Në veçanti lutemi për drejtuesin e ri z. Dritan Mishto që duke u ngja paraardhësve të tij ta drejtojë këtë Federatë me sukses për të mirën e popullit tonë.
Lutemi për ne të gjithë, që mos të harrojmë historinë tonë, të kultivojmë kulturën, gjuhën e traditat shqiptarë. Të mësojmë të komunikojmë me njëri-tjetrin. Pa komunikim nuk ka bashkim e pa bashkim nuk ka përparim.
Lutemi që Zoti ta bekojë këtë tubim, si edhe ushqimin që po e marrim prej bujarisë së Tij.
Amen!
Zoti na bekoftë të gjithëve,
Zoti e bekoftë popullin shqiptar
Zoti e bekoftë Amerikën
Gëzuar Festa!