Ish-presidenti i Dinamos së Zagrebit në Kroaci, deri tani vonë këshilltar i klubit, Zdravko Mamiç, vëllai i tij Zoran Mamiç, ish-drejtori sportiv Damir Vrbanoviç dhe zyrtari i autoritetit fiskal të vendit ballkanik, Milan Pernar janë shpallur fajtorë gjatë kësaj të mërkure për vjedhjen e rreth 116 mln kunave nga klubi, duke i shkaktuar një dëm prej 12.2 mln kunash buxhetit të shtetit, e të katërt janë dënuar me burgim.
Mamiç personalisht është dënuar me 6 vite e gjysmë burgim. Sipas vendimit të lexuar nga kreu i Këshillit Gjyqësor, Darko Kruslin, Mamiç është shpallur fajtor për të gjitha akuzat e ngritura mbi të. Milan Pernar dhe Zoran Mamiç u shpallën të pafajshëm për një nga akuzat, por rezultuan fajtorë për rolin e uljes së detyrimeve fiskale të Mamiçit, apo për marrje e dhënie ryshfeti.
Zdravko, Zoran dhe Vrbanoviç janë fajësuar gjithashtu për vjedhje të parave nga transferimi i Dejan Lovren, ndërsa vetëm Zdravko ka vjedhur parà të nga transferimi i Luka Modriç.
Për këto akuza, Pernar është dënuar me 4 vite e dy muaj; Zoran për 4 vite e 11 muaj, ndërsa Vrbanoviç me 3 vite burgim. Asnjë prej të pandehurve nuk ishin të pranishëm në gjykatë kur u dha vendimi. Por, ajo që bën çudi është se Zdravko Mamiç njoftoi ditën e djeshme, një ditë para marrjes së vendimit, se ndodhej në Medjugorje të Bosnje-Hercegovinës, edhe pse deklaroi se nuk po iu shmangej autoriteteve.