Zhvlerësimi i fortë i euros ndaj lekut ka sjellë humbje jo të vogla për bizneset eksportuese dhe qytetarët që i kanë kursimet në monedhën europiane. Por, ndonëse Banka e Shqipërisë ka preferuar të mos ndërhyjë në këtë situatë, ndihma për të ndalur serinë negative të euros duket se po vjen nga jashtë.
Banka Qendrore Europiane sinjalizoi për herë të parë publikisht se shumë shpejt do të ndalë hedhjen masive të eurove në treg, të njohur ndryshe si lehtësimi sasior. Ky program nisi në mars të vitit 2015, ku për të mos lejuar rënien e Eurozonës në recesion, Banka Qendrore Europiane vendosi të ndërmarrë një politikë radikale, duke shtypur dhe hedhur masivisht euro në treg.
Në tre vitet e fundit përmes programit të lehtësimit sasior, autoriteti monetar i Bashkimit Europian ka injektuar mbi 2 mijë e 500 miliardë euro në tregjet e Eurozonës. Rritja në përmasa të pashënuara ndonjëherë më parë e sasisë së eurove në treg ka qenë një nga shkaqet kryesore të dobësimit të euros gjatë viteve të fundit. Por tërheqja nga programi i lehtësimit sasior nënkupton se tani nuk do të ketë më euro me tepri në treg.
Lëvizja e Bankës Qendrore Europiane u reflektua menjëherë në tregje. Pas daljes së lajmit, euro filloi të forcohet në bursa ndaj dollarit duke shënuar nivelin më të lartë në 10 ditë. E njëjta tendencë u përcoll edhe në tregun shqiptar, ku pas një serie të gjatë rënieje, të mërkurën euro u forcua ndaj lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë nga 124.17 lekë që këmbehej një ditë më parë, këtë të mërkurë euro u këmbye me 124.52 lekë ose 0.25 lekë më shumë.
Ndonëse ecuria e kursit të këmbimit mes euros dhe lekut nuk mund të parashikohet asnjëherë me siguri, ndryshimi i politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane është një lëvizje, e cila forcon dukshëm euron dhe pritshmëritë për ecurinë e saj në të ardhmen./TCH