21-vjeçarja me 3 fëmijë do të vetëvritet pasi humbi bashkëshortin

E Enjte, 07 June 2018 08:54

Gati tri javë më parë, ajo humbi bashkëshortin në rrethana ende të paqarta brenda Komisariatit të Korçës, ndërsa sot, bashkë me tri vajzat e saj të vogla, nuk kanë një vend ku të fusin kokën dhe as të ardhura për t’u ushqyer

Entela, bashkëshortja e Enea Ftojit, është larguar nga banesa ku jetonte me qira për shkak të pamundësisë për ta paguar. 21-vjeçarja shprehet se ajo nuk ka asnjë rrugëzgjidhje tjetër përveç vetëvrasjes, nëse institucionet nuk i ofrojnë ndihmë. Nëna e tre fëmijëve tregon se jeta e saj është bërë më e vështirë dhe ka mbetur në mes të katër rrugëve. Dy ditë pasi i dha lamtumirën e fundit bashkëshortit,

Entela ka marrë vajzat e saj dhe ka shkuar te shtëpia e gjyshes, por edhe ajo është jashtë standardeve të jetesës, ndërkohë që të afërmit e saj gjithashtu përballen me varfërinë dhe nuk mund ta ndihmojnë.

Së bashku me vajzat e mitura, 1, 4 dhe 5 vjeçe, ajo tashmë konsumon vakte ushqimore në mensat e bamirësisë të qytetit të Korçës, ndërsa tregon se nuk ka strehë dhe endet rrugëve. E reja madje kërcënon me vetëvrasje në rast se apeli i saj për ndihmë nuk do të dëgjohet.

Entela, si e keni përballuar jetën pas humbjes së bashkëshortit?
Rrugëve kam mbetur me tri vajzat. Nuk kam ku të shkoj, ku të mbështetem. Ne jetonim në një dhomë me qira me Enean dhe vajzat, por pas vdekjes së tij unë nuk mund ta paguaja më, ndaj u largova dhe tani nuk kam ku të shkoj. Edhe prindërit e Eneas nuk mund të më ndihmojnë, ata jetojnë me qira për vete në një dhomë dhe nuk kanë asnjë të ardhur.

Ku u strehuat pas largimit nga shtëpia me qira?
Te shtëpia e gjyshes në fshatin Ravonik, por edhe atje nuk më ndihmonin dot. Jemi 4 veta dhe nuk mund t’i bëhemi barrë askujt. Unë kam ditë që nuk di ku të shkoj, endem sa andej-këtej nëpër lulishte dhe stola. Nuk di çfarë të bëj. Shteti kur vret njerëz nëpër komisariate, t’u vrasë edhe familjen, mos t’i lërë rrugëve. Enean e vranë, le të më vrisnin dhe mua me fëmijët. Çfarë bëhet kështu me ne, a jemi njerëz a s’jemi njerëz, nuk mund të trajtohemi kështu.

Keni kërkuar për punë?
Jam 21 vjeçe, kam 3 fëmijë, vajzën e dytë e kam me probleme shëndetësore, nuk kam ku t’i lë. Kush t’i mbajë këto që të shkoj unë në punë? Unë kam nevojë emergjente tani. Dikush të më ndihmojë, të më japin një çati ku të fus kokën. Nuk dua lukse, por të mos më lënë rrugëve me fëmijët. Çdo ditë me merakun se ku do hanë e ku do flenë.

Kujt i bëni apel për t’ju ardhur në ndihmë?

I bëj apel shtetit, Kryeministrit, ministrit, kryetarit të bashkisë, të më ndihmojnë. Të më japin një mbështetje sepse jam vërtet të nevojë. Nëse nuk më mbështesin mua, nuk më mbetet asnjë zgjidhje tjetër, vetëm të vras veten. Nuk e përballoj dot më këtë gjendje, është e pamundur. Më mirë të vdes, sesa të jetoj. Dua drejtësi për Enean, ta nxjerrin të vërtetën sepse më lanë tre fëmijë jetimë. Nuk di çfarë t’ju them. Po, ai vidhte, i vodhi varësen një gruaje nga qafa, por nuk vrau njeri. Drogohej që të harronte hallet që kishte, varfërinë dhe gjithçka tjetër. Dua që të dalë ekspertiza dhe të nxjerrë të vërtetën dhe personat të mbajnë përgjegjësi, ndërsa për mua dhe vajzat të gjendet një zgjidhje./Panorama

Login to post comments