Artistët kanë prezantuar projektin e ri për Teatrin Kombëtar, duke ruajtur godinën e teatrit ekzistues dhe kundërshtuar projektin e qeverisë që parashikon shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një godine të re.
Sipas projektit të prezantuar nga artistët, godina e rikostruktuar e Teatrit Kombetar do jetë me 4 kate dhe do ketë të gjitha parametrat e duhura.
“Teatri i rikonstruktuar do jetë me 4 kate dhe do te ketë 2 hyrje. Veshja e jashtme e teatrit do jetë prej metali e xhami. Kostoja mund të shkojë deri në 10 milionë euro bashkë me rikonstruksionin. Salla do jetë me sistem të kondiconuar dhe me të gjitha parametrat”- thuhet në prezantimin e projektit nga artistët shqiptarë të mbledhur në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Gjatë fjalës së tij pas prezantimit të projektit, profesori Përparim Kabo u shpreh se artistët janë kundër shembjes së godinës së Teatrit, pasi kjo godinë është tempulli i qytetit dhe kultura kombëtare.
“Ju zotëri që na erdhët nga Danimarka, doja t’ju thoja a shemben teatrot në Danimarkë ku Hamleti u shqetësua dhe tha se Danimarka është një burg. Kjo godinë nuk duhet shembur, pasi kjo godinë është tempulli i qytetit dhe kultura kombëtare. Këtu është memorja kombëtare dhe njerëzit janë bërë më të mirë. A e dini ju zotërinj parlamentarë se çfarë tha një grua që pa një shfaqje këtu: ‘Po ta kisha parë më parë këtë shfaqje nuk do ta kisha vrarë burrin’.
Ju nuk e kuptoni çfarë do të thotë të shembet godina e Teatrit Kombëtar dhe nuk e kuptoni rëndësinë e saj. Nëse kjo godinë shembet, unë e them sot që kjo shembje është bërë nga ministrja Mirela Kumbaro dhe kryeministri Edi Rama. Projekti që na u paraqit sot ishte një vlerë kombëtare, ku ruhen godinat e ekzistuese”- tha Kabo.