Prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi, u rikonfirmuar në detyrë pasi kaloi me sukses procesin e vettingut.
Trupa gjykuese që dha vendimin, udhëhiqej nga Genta Tafa Bungo dhe me anëtare Pamela Qirko dhe Suela Zhegu. Gjatë seancës, se dy ditëve më parë KPK gjykoi se Premçi kishte burime të ligjshme për pasurinë e tij dhe pastërti të figurës.
Hetimi administrativ i kryer nga KPK arriti në përfundimin se prokurori Dritan Prençi zotëron si pasuri një apartament në Kashar si dhe një sipërfaqe toke të përfituar nëpërmjet ligjit 7501 nga familja e tij, thuhet në një raport të BIRN. Gjithashtu, Komisioni ka marrë në administrim raportin e DSIK, i cili konfirmonte përshtatshmërinë e prokurorit me detyrën si dhe dy kallëzime në emër të tij, të cilat nuk rezultuan me probleme pas verifikimit.
“Jam njohur me të gjitha aktet e hetimit dhe jam dakord me rezultatet. Ishte një proces i rregullt hetimor,” tha prokurori Prençi, para se të kërkonte konfirmimin në detyrë.
Dritan Prençi e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në rrethin e Tropojës. Ai ka shërbyer për disa vite si prokuror dhe drejtues prokurorie në Tropojë, Kukës dhe Kurbin përpara se të emërohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prençi është gjithashtu kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.