×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 53

Gjyqtari “harron” të zbardhë vendimin për “Velierën”, shkel me 55 ditë afatet

Hënë, 09 Prill 2018 21:43

"Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së hënës shkeljet e gjyqtarit Ergys Gashi, i cili ka harruar të zbardhë vendimin për çështjen “Veliera”.
Më datë 13 shkurt 2018, Gjykata Administrative e Durrësit vendosi që të pezullojë punimet në zonën A të projektit “Veliera”, ndërsa deri më sot, megjithëse kanë kaluar 55 ditë, vendimi ende nuk është zbardhur. Për pasojë, Gjykata e Apelit e ka të pamundur që të shqyrtojë ankesat, ndërsa ajo që mbetet është se zona në fjalë, në këtë prag sezoni turistik, vazhdon të jetë gërmadhë.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankuan dhjetëra banorë të qytetit të Durrësit, të cilët pretendojnë se zona ku do të bëhet projekti është ende gërmadhë. Proceset gjyqësore vijojnë njëri pas tjetrit, ndërsa barra bie e gjitha mbi qytetarët, që kalojnë mes pluhurit, rrënojave antike, apo pjesëve të betonit. Debatet mes Bashkisë së Durrësit dhe Shoqërisë Civile kanë shkuar në gjykatë, atje ku duhet të jepet drejtësi.

Por, proverbi “drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar” duket se po gjen zbatim për këtë çështje, pasi, gjykata ka shkelur me të dyja këmbët afatet ligjore. Palët e përfshira në proces, përkatësisht shoqëria civile si palë paditëse dhe Bashkia e Durrësit, si palë e paditur, kanë mbetur të paqartë nga ky vendim dhe po presin zbardhjen e tij, për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt ankimimit ose vijimit të punimeve.

Zëdhënësja e Gjykatës Administrative Sara Kosova tha për “Fiks Fare” se “deri më datë 5 prill 2018, vendimi ende nuk është dorëzuar në sekretari i zbardhur nga gjyqtari i çështjes”. Ajo shtoi se afati ligjor për zbardhjen e një vendimi është vetëm 7 ditë. Pra, gjyqtari Ergys Gashi ka shkelur afatet mbi 45 ditë. Fiksi shkon të pyesë edhe gjyqtarin Gashi, i cili u kërkon gazetarëve që duhet të presin pak.

Takon punonjësin e policisë dhe më pas kyçet brenda në zyrën e tij. Gazetarët e pritën për disa orë, ndërsa stafi i gjykatës, por edhe qytetarë, e gjetën kyçur derën e tij. Pas më shumë se dy orësh e gjysmë, gjyqtari del nga zyra dhe gazetarët e pyesin përse nuk është zbardhur vendimi. Sërish, u thotë se “duhet të presin”. Gazetarët e presin, dhe pas tre orësh e gjysmë, gjyqtari Ergys Gashi u premtoi se po merret me zbardhjen e vendimit.

Duket se qëndrimi për më shumë se tre orë në zyrë, duhet ti ketë shërbyer gjyqtarit Ergys Gashi që të punojë me vendimin, e “harruar” në sirtar.

Login to post comments