Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, është një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë, të cilat në pjesën dërrmuese janë fituar me çmime sa 99 për qind e fondit limit.
Syri.net ka zbardhur dokumentat zyrtarë që tregojnë se në dy vitet e fundit, ish I burgosuri për korrupsion Jaka, ka përfituar miliona euro tendera publikë nga qeveria, në shumë raste me ofertë sa 99 për qind e fondit limit.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimeve Publike, vetëm përmes kompanisë Sori-Al, Jaka dhe ish bashkëshortja e tij, Alma Tafani kanë përfituar mbi 5 milionë euro tendera publikë në dy vitet e fundit.
Sori-Al është një kompani që merret me shërbimin e ushqimeve të gatuara. Kompania furnizon me ushqime një numër shumë të madh të institucioneve publike, falë tenderave që ka arritur të marrë, duke shfrytëzuar edhe influencën e kreut të Dhomës së Tregtisë me qeverinë.