Vettingu/ “Nuk justifikon pasurinë”, gjyqtari Trezhnjeva: E kam gjithçka të ligjshme

E mërkurë, 11 Prill 2018 13:49

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka mbajtur sot seancën dëgjimore për gjyqtarin Besim Trezhnjeva. Në përfundim të seancës, pasi "ngeci" për fshehjen e pasurisë, gjyqtari dha një prononcim të shkurtër për mediat ku u shpreh se, pasuria e tij është e ligjshme dhe se kanë punuar për vite me radhë me bashkëshorten.

"Pasura ime është e ligjshme. Këto janë të ardhurat e mia. Kemi punuar bashkë me gruan. Është periudha që nuk është llogaritur nga ‘91. Nuk është fshehje pasurie, nuk e dëgjuat ju”, tha Trezhnjeva për gazetarët.

Besim Treshnjeva do të hetohet pasi ILDKP ka konstatuar se ai ka bërë deklarim të rremë. Trezhnjeva ka fshehur pasurinë e tij prej 50 mijë eurosh. Më 13 prill do të jetë seanca e radhës për gjyqtarin.

Besim Trezhnjeva është gjyqtar pranë gjykatës së Apelit Durrës dhe kandidat për anëtar në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Kujtojmë se Trezhjneva është i treti që kalon në sitën e Vettingut. Para tij ish-gjyqtari Fatos Lulo nuk mundi ta kalonte vettingun, ndërsa Vitore Tusha doli e pastër duke vazhduar detyrën e saj.

Modifikuar më E mërkurë, 11 Prill 2018 13:52
Login to post comments