Vrasja e Majollarit, familjarët e të kërkuarit: Ngjarja ishte e mbyllur

E Enjte, 12 Prill 2018 14:16

Sipas policisë pas vrasjes autori është larguar në këmbë drejt Tufinës, ku e ka pritur një mjet ngjyrë  gri, i paidentifikuar ende nga policia. Mjeti i djegur në Fushë-Krujë nuk ka lidhje me këtë ngjarje.

Familjarët e Kastriot Gjuzit, të akuzuarit për vrasjen e 28-vjeçarit, janë shprehur se nuk e ka kryer ai krimin pasi në familjen e tyre nuk është diskutuar kurrë tema e hakmarrjes pas vrasjes së të vëllait të Gjuzit nga babai i Marios.

Ata janë shprehur se kjo histori ishte konsideruar e mbyllur.

Më pas ata janë shprehur se nuk kanë komunikuar pas ngjarjes me Gjuzin, pasi telefonin e ka të fikur.

Rreth orës 20:25, Policia e Tiranës është lajmëruar përmes një telefonate në sallën operative, për të shtë- na me armë zjarri në zonën e Kinostudios. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet më të afërta të Komisariatit nr.4, që kanë konstatuar trupin e pajetë të një të riu.

Brenda pak minutash viktima është identifikuar si Mario Majollari, 28 vjeç, banor në pallatin pranë vendit ku u qëllua për vdekje. Policia tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja arme zjarri, që dyshohet të jetë pistoletë tip “TT”.

Burimet thanë se viktima është qëlluar në kokë dhe në trup e për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Atentatorët kanë shfrytëzuar momentin kur në zonë nuk kishte shumë lëvizje. Në rrugicën me ndriçim të dobët nuk ka pasur lëvizje në momentin e krimit, kjo edhe për arsye se në atë moment po luheshin ndeshjet e “Champions League” dhe rrugët ishin të boshatisura, pasi banorët ishin nëpër lokale duke parë ndeshjet. Banorët e zonës u shprehën mbrëmë se kanë dëgjuar vetëm të shtënat dhe nuk kanë parë asgjë.

Login to post comments