Një shqiptar 25-vjeçar është dënuar me 20 vite burg pasi vrau gruan e tij në Graz të Austrisë.
I riu me origjinë kosovare, u shpall fajtor nga gjykata, pasi ai thuhet se e ka vrarë gruan e tij me 12 goditje me thikë në prani të fëmijëve.
25 vjeçari e ka pranuar veprën gjatë së cilës fëmijët kanë qenë në banesë por jo edhe qëllimin për të vrarë.
Kosovari ishte i njohur në polici para krimit, pasi u dëbua katër herë nga apartamenti i përbashkët brenda një viti.
I dënuar gjithashtu me tre muaj para vrasjes, pasi kërcënoi gruan e tij se ai do ta “therte atë si një derr” dhe kërcënoi të vriste djalin e tyre një vjeçar, shkruhet në median austriake ORF.
I riu para trupit gjykues, me lot në sy ka thënë veç tjerash: “I urrej duart e mia, ato nuk kanë qenë të miat atë ditë. Unë e kam dashur atë mbi të gjitha dhe kurrë nuk kam dashur ta vrisja”.
Shqiptari është përbetuar para gjyqit se nuk ka pasur qëllim të vriste djalin e përbashkët. “Unë nuk do të mund t`i bëja asgjë birit tim, unë jam njeri familjar”.
Ndërsa ka deklaruar se partnerja e tij atë natë ia kishte pranuar se e kishte tradhtuar, dhe konflikti ka shkuar duke u përshkallëzuar.
25-vjeçari dhe shoqëruesja e tij 31-vjeçare nga Grazi, në qershor të vitit të kaluar kanë qenë duke festuar lidhjen e tyre në një lokal. Me atë rast është konsumuar edhe alkool.
Gjatë orëve të hershme të mëngjesit, situata mes tyre eskalon dhe përfundon me vdekjen e 31-vjeçares.