Vettingu ka goditur një tjetër gjyqtar të nivelit të lartë, pas shkarkimit që ju bë disa ditë më parë gjyqtarit të Kushtetueses Lulo.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar këtë të premte nga detyra gjyqtarin e jykatës së Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva, me argumentin se ka fshehur pasurinë. KPK në argumentimin e vendimit është shprehur se përveçse fshehjes së pasurisë, Besim Trezhnjeva nuk është treguar bashkëpunues me komisionin.
“Në përfundim të procesit të rivlerësimit, trupa gjykuese e kryesuar nga Alma Faskaj vendosi të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit Besim Trezhnjeva, gjykatës në Durrës”, deklaroi KPK.
Në përfundim të seancës ku u dha dhe vendimi për Trezhnjevën, avokati i tij Fatmir Braka paralajmëroi se vendimi do të apelohet në Kolegjin e Apelimit të vettingut, duke u shprehur se KPK nuk merr për bazë mbrojtjen ligjore që i është bërë gjyqtarit, pavarësisht se pretendon se është kryer mbi të një analizë e thelluar e fakteve.
“Nuk e quaj normale, megjithatë ata kanë vendosur kështu. E keqja është se asnjë e drejtë jona e mbrojtjes nuk u mor parasysh, nuk ka gjykim, aty thuhet se ka gjykim të thelluar që s’është e vërtetë, sepse gjykimi i thelluar duhet që ne të na ishte bërë ekspertizë, nuk ka objektivitet”- tha ai.