Nesër në orën 11:00 është paralajmëruar një protestë masive që do të bashkojë Shqipërinë dhe Kosovën kundër taksës së“Rrugës së Kombit” që është vendosur nga Rama për të ndarë dy vendet. Qytetarët do të protestojnë pikërisht në vendin ku është ngritur trau që ndan jo vetëm Shqipërinë me Kosovën, por edhe Veriun me pjesën tjetër të vendit. Organizimi i protestës është inicuar në rrjetet sociale dhe solidarizimi ka vazhduar përgjatë dy ditëve të fundit në të dy anët e kufirit.
Këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Kukësit kanë kundërshtuar njëzëri taksën e “Rrugës së Kombit” dhe kanë i bërë apel qeverisë që të anulohet kjo tarifë.
Edhe Këshilli Bashkiak i Hasit dhe i Tropojës kanë vendosur që të kërkojnë nga qeveria dhe Kuvendi anulimin e kësaj takse si edhe do të zhvillojnë protesta paqësore.
Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila ka komentuar caktimin e taksës në “Rrugën e Kombit” nga ana e qeverisë shqiptare.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka thënë se, kjo taksë i zhvesh të dy qeveritë nga pretendimet se po punojnë në mbledhje të përbashkëta për të përafruar dallimet mes shteteve.