Një nënë u vra nga djali, një grua nga bashkëshorti dhe një vajzë nga ish-i dashuri. Ky ishte bilanci i javës që lamë pas, ku vendi u trondit nga krime të rënda, nga jugu në veri e deri në zemër të kryeqytetit.
Vrasje për shkak të konflikteve, krime në familje e krime pasioni, shkaktuan 6 viktima në vetëm 7 ditë. Java filloi me vrasje në Vlorë, duke u pasuar të enjten me një krim të dyfishtë në familje në Peshkopi, ku djali i sapokthyer nga Anglia ekzekutoi me automatik dy prindërit.
Më tej e premtja “e zezë”, që nisi në mëngjes me vrasje të dyfishtë në Tiranë e u mbyll në mbrëmje me vrasjen e një nëne nga bashkëshorti në Durrës. Ndonëse vit pas viti Policia raporton për një ulje të numrit të vrasjeve, duket se ky vit po i del kundra statistikave të Policisë. Në një kohë që vitin e kaluar në të gjithë vendin u vranë 8 gra e vajza, në 6 muajt e parë të këtij viti janë vrarë 6 femra.
Shumica e vrasjeve në familje, kryesisht kur viktimat janë femra, krimet janë të paralajmëruara. Ndonëse rezulton një ndërgjegjësim i grave e vajzave për të raportuar dhunën në Polici, madje në shumicën e rasteve duke marrë edhe urdhra mbrojtjeje në Gjykata, sërish nuk ka rezultuar të ketë pasur efektin që pritej.
Të paktën në krimet e rënda që kanë ndodhur, qoftë në familje, qoftë edhe ato të ashtuquajtura “krime pasioni”, na ka rezultuar se pjesa më e madhe ishin pasoja të konflikteve e dhunës së mëparshme.
VRASJA E FEMRAVE
Kur ka kaluar vetëm gjysma e vitit, në të gjithë vendin janë vrarë 6 gra e vajza. Krimet e fundit ishin ato të Tiranës dhe Durrësit. Ardjana Shaholli u godit për vdekje nga bashkëshorti pas një sherri banal në Durrës.
Ndërsa Xhuljeta Çuni, 19 vjeç, u vra me dy plumba ditën që po shkonte të jepte provimin e Letërsisë. Policia tha se maturantja u ekzekutua se refuzoi autorin e krimit, i cili pasi e vrau, i dha fund edhe jetës së tij.
Një krim i ngjashëm me atë të ditës së premte në zonën e “Don Boskos”, ndodhi në fillim të vitit po në Tiranë. Studentja e Drejtësisë, Ariela Murati, u ekzekutua në mes të ditës sepse i refuzoi dashurinë autorit, i cili më pas qëlloi edhe veten, duke vdekur disa ditë më vonë në spital.
URDHRAT E MBROJTJES
Vrasja e Xhuljeta Çunit mund të parandalohej për sa kohë Prokuroria kishte nisur hetimet për Xhafer Matën me akuzën e përndjekjes, kallëzim i dorëzuar prej saj më 7 maj të këtij viti. Por 19-vjeçarja nuk mund të përfitonte urdhër mbrojtjeje sipas ligjit sepse ajo nuk ishte pjesë e familjes së tij dhe as bashkëjetuese.
Sipas statistikave të Policisë dhe të Gjykatave, rezulton se nga 1 janari 2018 deri më 31 maj 2018 kanë përfituar urdhër mbrojtjeje 1275 gra e vajza. Ndërkohë që rezulton se janë nën hetim mbi 490 meshkuj dhe janë arrestuar 270 prej tyre. /Panorama/