Konfindustria për euron: Kush përfiton nga rritja e menjëhershme dhe ndërhyrja e BSH-së

Hënë, 11 June 2018 11:38

Industrialistët kanë reaguar ndaj vendimit të Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun e këmbimit për të blerë valutë dhe frenuar kështu zhvlerësimin e euros. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Konfindustria bën të ditur se ndërhyrja është e mirëpritur, por njëkohësisht është e vonuar dhe jo e plotë.

“BSH në arsyetimin zyrtar me rastin e marrjes së vendimit për ndërhyrje, nuk bëri të ditur shkaqet e plota të rënies së Euros kundrejt Lekut, ndikimet e ardhura jashtë treguesve makroekonomikë formalë, rreziqet e mundshme të spekullimeve financiare nga kompani të medha të huaja, si dhe pasojat e nismës së saj të ‘deeuroizimit’.

Gjithashtu, nuk u bë e qartë nëse po ndërtohet plan masash ekonomikë, financiarë dhe institucionalë në bashkëpunim me ekzekutivin për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, theksohet në njoftimin për shtyp të Konfindustrisë.

Më tej, industrialistët theksojnë se vonesa e zgjatur dhe përkimi në kohë i ndërhyrjes së BSH me përmbylljen e bilanceve financiare vjetore lejon kompanitë me kapital të huaj të përfitojnë shuma të mëdha në formen e dividentëve dhe fitimeve. Gjithashtu, përfitues të drejtpërdrejtë janë grupe importuesish dhe përmirësimi fiktiv i pasqyrave financiare qeveritare.

“Pasojat e përllogaritura të deritashme janë të nivelit prej disa qindra milion euro, duke rrezikuar falimentim të pakthyeshëm të mjaft bizneseve prodhuese, papunësi dhe goditje të nivelit të jetesës së kategorive të gjera të qytetarëve”, mbyll qëndrimin e saj zyrtar Konfindustria.

Login to post comments