Vrasja e maturantes Xhuljeta Çuni mëngjesin e së premtes në Tiranë, ishte krimi i radhës i paralajmëruar nga vetë ajo një muaj më parë. Megjithatë, edhe pse i ishte drejtuar Policisë duke denoncuar përndjekjen dhe dhunën psikologjike që ushtronte ish-i dashuri Xhafer Mata, për 19-vjeçaren nuk mund të lëshohej urdhër mbrojtjeje.
Duke qenë se ajo nuk ishte në një marrëdhënie familjare apo bashkëjetuese e autorit, ligji nuk parashikon lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Por megjithatë, parashikon që në rastet kur përndjekja është e përsëritur dhe i shkakton ankth e frikë të dëmtuarës, autori duhet të arrestohet. Por në rastin e 19-vjeçares Xhuljeta Çuni nuk kishte ndodhur kështu. Policia një muaj më parë ka proceduar në gjendje të lirë autorin Xhafer Mata, duke referuar materialet në Prokurori.
Por siç ndodh rëndom, çështja ishte mbyllur aty, pa asnjë veprim të mëtejshëm. Ndërsa viktima, disa ditë më vonë, e shtyrë nga familja dhe mentaliteti, kishte tërhequr denoncimin. Burime nga Policia thanë se në kushtet kur autori i vrasjes ka kryer edhe vetëvrasje, dosja shkon drejt mbylljes. Megjithatë, për zbardhjen e plotë të rrethanave e motiveve të ngjarjes, priten dëshmitë e familjarëve të vajzës dhe djalit, të cilët ende nuk janë pyetur nga Policia.
Të shtunën, dy të rinjtë janë përcjellë në banesën e fundit. Njoftimet e vdekjes së tyre ishin vendosur pranë njëri-tjetrit, në të njëjtën shtyllë, në rrugën “Jordan Misja”. Por ceremonia e varrimit për Xhafer Matën është zhvilluar në Kukës, ndërsa për Xhuljeta Çunin, në Tiranë.