Për filozofin gjerman, Frederic Niche, ajo që nuk të vret, të bën më të fortë! Kjo shprehje e gjen veten në historinë e Ledjanit, që jeton në një familje ekstremisht të varfër, e megjithatë arrin të sfidojë moshën, mundësitë e tij fizike dhe mendore, vetëm e vetëm që t’i sigurojë bukë familjes së tij.
“Punoj për të nxjerrë bukën e gojës. E bëj ngaqë nuk ka familja. Mbledh kanaçe dhe hekura. Fitoj 4-5 mijë lekë (të vjetra) në ditë”, tregon Ledjani.
Për disa, historia e Ledjanit mund të tingëllojë si e zakonshme, pasi si ky 11-vjeçar fatkeq ka shumë në Shqipëri. Por, nëse këta fëmijë braktisin shkollën, rasti i tij është i rrallë: ai është nxënës i shkëlqyer.
“Kam qenë me dhjeta, por ngaqë fillova punë në klasë të tretë… Unë punoj pasi mbaroj shkollën dhe në ditë pushimi”, thotë Ledjani.
Ai është i fortë si një burrë i madh, me dëshira minimale për jetën, megjithëse të mëdha për kushtet e tij: “Do të doja të kisha shtëpi, mamin dhe babin me punë. Kaq”.
E ëma dhe i ati i Ledjanit janë të papunë. Edhe ata mbledhin kanaçe apo ç’të gjejnë. Zonja e shtëpisë thotë se ka mbi 1 vit që kërkon punë, por të gjithë e përcjellin, askush nuk e merr më në telefon.
Për të jetuar në një shtëpi të shkatërruar tek “Ali Demi”, familja paguan 120 mijë lekë (të vjetra) qira në muaj, shtuar këtu faturën e ujit dhe të dritave, pa asnjë ndihmë ekonomike nga shteti. E megjithatë, ata nuk lypin, punojnë me ndershmëri dhe në pendesë që halli i madh i ka detyruar të shfrytëzojnë edhe fëmijët./tch