Prokurori i Apelit, Gentian Trenova, del para Vetingut

E Enjte, 14 June 2018 09:14

Gentian Trenova është prokuror i Apelit në Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ai do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.

Trenova e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 dhe prej asaj kohe ka ushtruar funksionin në prokurorinë e Kurbinit, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe në Prokurorinë e Apelit të Tiranës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Gentian Trenova për vitet 2004-2015.


Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Gentian Trenova zotëronte një pasuri me vlerë rreth 4.9 milionë lekë në vitin 2004-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2015, pasuria familjare e tij kap vlerën e 9 milionë lekëve.

Pasuria e zotit Trenova përbëhet nga depozita bankare në vlerën e 3 milionë lekëve, kursime në cash në vlerën e 600 mijë lekëve si dhe pasuri të paluajtshme në vlerën e 5.4 milionë lekëve. Sa i përket pasurisë së paluajtshme, ai ka deklaruar se zotëronte ¼ e shtëpisë së prindërve në vitin 2004 si dhe ka blerë një apartament 50 metra katrorë për 1.9 milionë lekë me kredi në vitin 2007.

Në vitin 2012, Trenova ka deklaruar “dhurim pasurie të palujtshme” pa specifikuar se cilën prej tyre ka falur, ndaj në këtë analizë vlera 5.4 milionë lekë pasuri të paluajtshme i përfshin të dyja pronat e deklaruara prej tij.

Të ardhurat familjare të prokurorit Trenova për vitet 2004-2015 kapin vlerën e 19.7 milionë lekëve dhe pjesa kryesore e tyre, mbi 75 për qind, përbëhet nga paga dhe shpërblimet e tij për shkak të funksionit. Të ardhurat nga paga e familjarëve zënë rreth 17 për qind, ndërsa dhuratat në cash nga të afërmit përbëjnë 5.4 për qind të të ardhurave me një vlerë totale prej 1 milionë lekësh.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmerik/logjik për 11 deklarata pasurie të zotit Trenova dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme apo me diferenca të pambuluara të pasurisë.

Megjithatë, në analizë janë identifikuar si “flamuj të kuq” një borxh që prokurori ua ka marrë familjarëve në vitin 2012 dhe nuk deklaron ta ketë kthyer deri në fund të vitit 2015  apo dhuratat në cash nga të afërmit në vlerën e rreth 1 milionë lekëve.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitin 2004

Deklarata e pasurisë për vitin 2005  

Deklarata e pasurisë për vitin 2006

Deklarata e pasurisë për vitin 2007

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013  

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015  

Login to post comments