Lagështira në rrugë, si pasojë e reshjeve të shiut të rëna orëve të fundit, është bërë shkak e një aksidenti automobilistik me pasojë vdekjen e një të moshuare dhe plagosjen e rëndë të djalit të saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi në vendin e quajtur ‘Ura e Pesjakës’ në Maqellarë të Dibrës.
Mësohet se mjeti që drejtohej nga 50-vjeçari Masim Kulemani, ka humbur kontrollin dhe për pasojë nëna e tij e moshuar, Anife Kulemani, 79 vjeçe, ka humbur jetën.
Po ashtu bëhet e ditur se 50-vjeçari ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.
Informacion paraprak
Rreth orës 17:18, në vendin e quajtur ” Ura e Pesjakës”, Maqellarë, ka ndodhur një aksident rrugor.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë në vendin e ngjarjes, ku nga verifikimet paraprake kanë konstatuar se në vendin e quajtur “Ura e Pesjakës”, ka dalë nga rruga mjeti me targë AA 138 RP , me drejtues shtetasin A.K, 50 vjeç, banues në Maqellarë, ku për pasojë është plagosur rëndë drejtuesi mjetit, i cili po merr ndihmë mjekësore në spital, dhe nëna e tij shtetasja A.K, rreth 79 vjeçe, ku fatkeqësisht ka humbur jetën rrugës për në spital.
Paraprakisht dyshohet se shkaku i aksidentit të jetë lagështira në rrugë, si pasojë e reshjeve të shiut të rëna gjatë orëve të fundit.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti. Policia e Shtetit ju bën thirrje gjithë drejtuesve të mjeteve, të bëjnë kujdes të posaçëm në kushte të vështira të motit dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke shmangur pasojat.