Një 22-vjeçar nga Mali i Zi është arrestuar, pasi akuzohet se është autor i një vrasje.
Policia bën me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet A.S., i cili kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri.
Ai akuzohet se ka vrarë një shtetase ruse në Malin e Zi, ndërkohë që arrestimi u krye në Tiranë.
NJOFTIMI I POLICISË
Bie në rrjetën e bashkëpunimit ndërkombetar, një shtetas malazez i dyshuar për vrasje
Policia e Tiranës gjatë një operacioni bazuar në informacionet e Policisë së Malit të Zi, ka bërë të mundur kapjen në Tiranë të një shtetasi malazez të dyshuar për vrasje.
Shtetasi A.S, 22 vjeç nga Mali i Zi kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri.
Falë bashkëpunimit të ngushtë me Policinë malazeze dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, u bë i mundur identifikimi i vendodhjes si dhe kapja e tij.
Shtetasi A.S., dyshohet se ka vrarë një shtetase ruse në Malin e Zi. Nga ana e Policisë së Shtetit u bë deportimi për në Malin e Zi i shtetasit A.S., i cili është marrë në dorëzim nga shërbimet e Policisë malazeze.